Gjithçka duhet të dini për trajnerin e ri të Milanit

Futboll

Gjithçka duhet të dini për trajnerin e ri të Milanit

Më: 2 janar 2025 Në ora: 21:49
Conceiçao

"AC Milan njofton se ia ka besuar drejtimin teknik të ekipit të parë të meshkujve Sergio Paulo Marceneiro da Conceiçao deri më 30 qershor 2026. Milani i uron mirëseardhje të ngrohtë Sérgios dhe stafit të tij, duke shpresuar për një eksperiencë të mbushur me suksese dhe kënaqësi". 

Kjo ishte komunikata zyrtare me të cilën Milani ka bërë të ditur emërimin e trajnerit të ri, i zgjedhur për të zëvendësuar Paulo Fonseca.

Po kush është Sérgio Conceição? Karriera e tij si futbollist është ndjekur nga të gjithë, pasi ka shkruar faqe të bukura të historisë së futbollit italian me Lazion dhe Interin. Si trajner, kjo do të jetë hera e dytë që punon jashtë Portugalisë, ku konsiderohet një nga trajnerët më të mirë të historisë së kohëve të fundit.

Ai është trajneri i dytë më i suksesshëm në futbollin portugez. Conceição e nisi karrierën si trajner në vitin 2012, me skuadra si Olhanense dhe Academica de Coimbra, përpara se të kalonte te Braga, ku arriti finalen e Kupës së Portugalisë. Pas një periudhe të shkurtër në Ligue 1 me Nantes, suksesi më i madh i karrierës së tij erdhi me Porton.

Në qershor 2017, ai mori drejtimin e skuadrës portugeze, duke fituar kampionatin në sezonin e parë dhe prishur “agjërimin” 5-vjeçar të Portos.

Gjatë periudhës së tij në stolin e këtij ekipi fitoi gjithsej 10 trofe, përfshirë dy tituj të kampionatit dhe një "dopietë" (kampionat dhe kupë) në sezonin 2019-2020.

Po ashtu, Porto arriti dy herë çerekfinalet e Champions League nën drejtimin e tij. Ai është trajneri me më shumë ndeshje në historinë e Portos dhe i dyti më i suksesshëm në futbollin portugez.

Futbolli i Sérgio Conceição bazohet në intensitet, agresivitet, presion dhe tranzicione të shpejta. Trajneri portugez përdor shpesh skemën 4-4-2 ose 4-2-3-1, por shquhet për fleksibilitetin e tij taktik, duke përshtatur lojën e skuadrës sipas kundërshtarit.

Stili i tij favorizon një lojë direkte, duke shmangur pasimet horizontale, me objektivin për të avancuar shpejt drejt portës kundërshtare. Roli i lojtarëve të krahut është vendimtar, çka nënkupton se figura si Theo Hernandez dhe Rafa Leao do të jenë kyçe për suksesin e tij te Milani. Në ndeshjet ndërkombëtare apo kundër kundërshtarëve të fortë, Conceição di të adaptojë një lojë më të kujdesshme, duke u mbështetur te kundërsulmet për të goditur kundërshtarët.

Analiza taktike; ja si ndryshon Milani me ardhjen e Sérgio Conceição

Nga Paulo Fonseca te trajneri i ri kuqezi, Sérgio Conceição. Me një udhëtim të planifikuar për në Arabinë Saudite, ku do të drejtojë menjëherë ekipin kuqezi, ndryshimi i drejtimit teknik do të shoqërohet edhe me një ndryshim taktik. Duke u bazuar në përvojën e gjatë të Conceição te Porto, ja si pritet të transformohet Milani nën drejtimin e tij.

4-4-2 bazë, faza e posedimit Te Porto, skema e tij e preferuar ishte 4-4-2, me dy sulmues të lëvizshëm, duke u përshtatur ndonjëherë me një nga ata në pozicion më të thellë. Në fazën e posedimit, ndërtimi i lojës fillon nga mbrojtja. Mbrojtësit anësorë pozicionohen në linjë me mesfushorët qendrorë, ndërsa qendërmbrojtësit zgjerojnë pozicionet e tyre, duke formuar një romb për fillimin e manovrës.

Në rastin e presionit të lartë nga kundërshtari, topi kalon linjat fillestare të presionit dhe kërkon një nga dy sulmuesit, zakonisht atë më fizik.

Pa presion, manovra nis me konfigurimin 2-4-4, ku mbrojtësit anësorë luajnë rol kyç duke hyrë në fushë dhe realizuar shkëmbime të shpejta me sulmuesit anësorë.

Një veçori e lojës së tij është ndërrimi i vazhdueshëm i pozicioneve mes katër lojtarëve të sulmit:

Sulmuesit anësorë hyjnë brenda fushës, si me top, ashtu edhe pa të.

Sulmuesit qendrorë dalin nga zona për të hapur hapësira në mbrojtjen kundërshtare.

Conceição preferon sulmues fizikë, por të lëvizshëm, siç ishin Evanilson dhe Taremi te Porto. Në krahë, ai mbështetet te driblimi i shpejtë dhe eksploziv i lojtarëve, veçanërisht në 10 metrat e parë.

Faza e mosposedimit, presion dhe soliditet Në mbrojtje, ekipi i Conceição vepron me një presion të organizuar dhe të avancuar, duke filluar që në zonën e kundërshtarit (30 metrat e para).

Formacioni në mbrojtje: Në këtë fazë, ekipi ndryshon në një 4-1-4-1, me qëllim që të shfrytëzojë tranzicionet dhe të kufizojë maksimalisht posedimin e kundërshtarit.

Tranzicionet: Pas rikuperimit të topit, synimi është thellësia dhe jo domosdoshmërish një manovër e gjatë.

Për Milanin, kjo do të thotë: Adaptim për lojtarët aktualë, si Rafael Leão dhe Chukwueze, të cilët duhet të mësojnë të mbrojnë dhe të reagojnë më shpejt në tranzicion.

Nevoja për një sulmues të ri, përveç Moratës dhe Abrahamit.

Roli i Pulisic dhe integrimi i mesfushorëve si Loftus-Cheek dhe Fofana, ku njëri duhet të jetë mesfushor shkatërrues dhe tjetri organizues (Reijnders), me më pak “licencë” për të sulmuar.

Përfundimi – Sérgio Conceição sjell një qasje të organizuar dhe intensive, e cila kërkon kohë për t’u integruar. Milani do të kalojë në një sistem ku presioni dhe tranzicionet do të jenë kyçe, duke u mbështetur në lojtarë fizikë, të shpejtë dhe të aftë për të luajtur në pozicione fleksibël. Suksesi do të varet nga përshtatja e lojtarëve dhe aftësia e ekipit për të përvetësuar këtë stil dinamik loje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat