Gianluigi Buffon, në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, foli për Kampionatin Botëror të Klubeve me formulën e re: “Do të jetë një ngjarje e re, një turne që do t’i stimulojë të gjitha klubet dhe lojtarët për të kërkuar fitoren dhe për të dhënë më të mirën.
Besoj se kjo formulë e re është e shkëlqyer. Ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, futbolli ndonjëherë ka nevojë të propozojë diçka të re, të inovojë. Sipas mendimit tim, është një zgjedhje e shkëlqyer të organizohet Kampionati Botëror i Klubeve”.
Në moshën 46-vjeçare dhe pas ndeshjes së tij të fundit zyrtare në vitin 2023, Buffon, me një dozë të mirë ironie, nuk e përjashton mundësinë e pjesëmarrjes së tij në këtë kompeticion, duke shprehur admirim për të: “Eh, po, do të më kishte pëlqyer shumë të luaja në Kampionatin Botëror të Klubeve.
Sidoqoftë në jetë… nuk i dihet kurrë.
Gjithçka është e mundur, apo jo? Nuk do të ishte një surprizë”.
Ndër 32 skuadrat që do të konkurrojnë për trofeun në SHBA përfshihet edhe Juventusi, klubi ku Buffon luajti për pothuajse 20 vite. Në garë do të jetë gjithashtu Interi, rivali i përjetshëm i bardhezinjve në kampionatin Italian. Buffon theksoi: “Për klubet, dëshira për të dhënë më të mirën në këtë kompeticion do të jetë shumë e madhe”.
Si Juventusi, ashtu edhe Interi janë shortuar në grupe shumë interesante dhe me apel të vërtetë “botëror”. Bardhezinjtë do të përballen me Wydad AC, Al Ain FC dhe Manchester City, ndërsa zikaltërit do të sfidojnë CA River Plate, Urawa Red Diamonds dhe CF Monterrey.
Tifozët do të kenë mundësi të ndjekin ndeshje shumë interesante në të tetë grupet, në 12 stadiumet që do të presin sfida emocionuese me protagonistë disa nga futbollistët më të mirë në nivel botëror. Sipas Buffonit, zgjedhja e SHBA si vendi mikpritës i garës do t’i shtojë tërheqje dhe prestigj të veçantë:
“Besoj se asnjë komb më mirë se SHBA nuk ka aftësinë për ta promovuar më mirë produktin e tij.
Është një mënyrë për t’i dhënë më shumë mundësi suksesit të kompeticionit të inovuar. Kultura e futbollit në SHBA është përmirësuar shumë, ka evoluar ndjeshëm.
Amerikanët janë bërë shumë më konkurrues, sepse tani kanë shumë lojtarë që luajnë në klubet më të mira europiane. Dhe të mos harrojmë se SHBA kanë gjithashtu një ekip kombëtar femrash shumë konkurrues dhe të fuqishëm. Sipas mendimit tim, kjo e ndihmon futbollin amerikan të vendosë gjithmonë objektiva më të larta”.