Të marrësh drejtimin e Milanit mes një ndeshjeje dhe tjetrës do të thotë edhe të përballesh me konferenca për shtyp dy herë në tri ditë.
Pas prezantimit zyrtar si trajner i ri i kuqezinjve, Sergio Conceiçao foli dje për sfidën e tij të parë; gjysmëfinalen e Superkupës Italiane kundër Juventusit, që do të zhvillohet sonte në Arabinë Saudite.
Këtu janë pikat kryesore nga fjala e tij, mes emocioneve dhe përgatitjeve për ndeshjen:
Kam gjetur një skuadër që punon me përulësi, e cila dëshiron të mësojë dhe ta kuptojë trajnerin. Kjo është shumë e rëndësishme, është baza për të bërë një punë cilësore. Kemi pasur pak kohë për të punuar, por kemi qenë të qartë në drejtimet ku skuadra duhet të përmirësohet për ndeshjen ndaj Juventusit.
Koha është ajo që është. Nëse do të më pyesnit nëse do të doja më shumë kohë për të punuar dhe t’i kisha të gjithë lojtarët në dispozicion, përgjigjja ime do të ishte po. Sidoqoftë, e dija këtë që kur erdha. Nuk ka justifikime; duhet të përballemi me Juventusin me kokën lart. Duam të jemi të qartë në atë që duhet të bëjmë. Të përgatitemi për të fituar, për ne është thelbësore”.
Sfida kundër djalit të tij: “Nuk ndihem aspak i emocionuar, jam profesionist. Jam i ftohur dhe kam pasur temperaturë këto ditë, kështu që sytë e mi duken të përlotur për këtë arsye. Në shtëpi jam babai i Francisco, por sonte do të jetë kundërshtar.
Edhe ai mendon njësoj. Nuk kam asnjë emocion dhe dua ta mund, siç do të dëshironte edhe ai të më mundte mua. Shpresoj të mos e bëj të lumtur”.
Për ndikimin e djalit të tij te Juventusi: “Francisco ka cilësi si teknikisht, ashtu edhe në të kuptuarit e lojës dhe taktikës, përveç aftësive fizike. Jam i lumtur që e kam stërvitur, sepse nuk është e lehtë të luash me mua si trajner. Mund të bëjë një karrierë të shkëlqyer, qoftë në Itali apo kudo në botë”.
Një vlerësim për Juventusin si ekip: “Ka shumë lojtarë cilësorë, të rinj dhe punëtorë. Është skuadra që ka pësuar më pak gola në Serie A, më kompaktja. Duhet të shohim si mund ta çmontojmë organizimin e tyre mbrojtës. Nuk dua ta kufizoj talentin apo cilësinë, por duhet të punojmë si ekip. Vetëm kështu funksionon futbolli për mua”.
Gjendja e lojtarëve të dëmtuar: “Unë nuk jam mjek.
Ka lojtarë që ende nuk janë rikuperuar, disa kanë bërë vetëm një stërvitje dhe nuk kanë 90 minuta në këmbë, të tjerët do ta fillojnë titullarë. Do të shohim”.
Qëllimet për të ardhmen: “Objektivat e mi nuk i tregoj. E kaluara është e kaluar. Më parë këtu ishin trajnerë të tjerë, tani jam unë. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën tani, për të pasur një të ardhme më të mirë”.