Sulmuesi i West Ham, Michail Antonio, ka shpërndarë një mesazh prekës për Vitin e Ri, pas aksidentit të rëndë automobilistik në të cilin u përfshi më 7 dhjetor 2024. Në këtë aksident, makina e tij Ferrari u shkatërrua plotësisht dhe Antonio pësoi një frakturë të rëndë në këmbë, çka kërkoi një operacion urgjent.
Pas tri javësh qëndrimi në spital, Antonio u lirua dhe shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e marrë.
Ai theksoi se ky incident i ka hapur sytë për rëndësinë e jetës dhe e ka bërë të vlerësojë më shumë çdo moment.
Për më tepër, West Ham ka organizuar një fushatë mbështetjeje për Antonion, duke mbledhur fonde për shërbimet e urgjencës dhe spitalet që e trajtuan atë. Shokët e tij të skuadrës mbajtën fanella me emrin e Antonios gjatë një ndeshjeje dhe i shisnin ato në ankand, me të ardhurat që shkuan për bamirësi.
Antonio, i cili ka qenë pjesë e West Ham që nga viti 2015 dhe është golashënuesi më i mirë i klubit në Premier League me 83 gola, aktualisht është në fazën e rikuperimit dhe pritet të mungojë për pjesën tjetër të sezonit. Kontrata e tij skadon në verë, teksa diskutimet për të ardhmen e tij te West Ham janë në vazhdim.
Sulmuesi 34-vjeçar xhamajkan shkroi në rrjetet sociale: “Çdo vit, në këtë periudhë, më pyesin për çfarë jam mirënjohës, dhe çdo vit është e vështirë të gjej fjalët e duhura. Por këtë vit e di saktësisht për çfarë jam mirënjohës: që jam gjallë.
Kam kaluar kaq shumë vite duke e marrë jetën si të mirëqenë, duke bërë plane për të nesërmen, ose vitin tjetër, gjithmonë duke supozuar se e nesërmja ishte e garantuar.
Kam parë miq që kanë humbur jetën, kam parë të tjerë që kanë kaluar përvoja afër vdekjes. Madje edhe në ato momente nuk e kuptoja plotësisht sa e çmuar është jeta. Ajo që kam përjetuar së fundi më ka hapur sytë. Jeta është e brishtë dhe çdo moment i vetëm i saj ka rëndësi.
I jam jashtëzakonisht mirënjohës Zotit që më dha forcën për të vazhduar dhe më lejoi të jem ende këtu.
Një falënderim i madh për mjekët, spitalin dhe të gjithë te West Ham: ekipi mjekësor, drejtuesit, stafi, shokët e ekipit dhe tifozët fantastikë.
Nuk do t’ia kisha dalë pa ju. Për të dashurit e mi, që kanë qenë pranë meje: nuk mund ta shpreh dot sa të rëndësishëm jeni për mua.
Së fundi, për të gjithë komunitetin e futbollit: faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen që më keni treguar.
Ka pasur një kuptim të jashtëzakonshëm për mua. Ju dua të gjithëve dhe jam pafundësisht mirënjohës. Gëzuar Vitin e Ri dhe shihemi së shpejti në fushë”.