Maqedonia ka shumë futbollistë të talentuar, të cilët presin rastin për të shtegtuar në shtetet europiane të futbollit.
Një ndër ta është sulmuesi i talentuar i Rabotniçkit me origjinë nga Forina e Gostivarit, Arian Xhaferi, që njëherit është edhe pjesë e Akademisë së përfaqësueses së Maqedonisë.
15-vjeçari Xhaferi karrierën e tij e kishte nisur në vendlindjen e tij në Gostivar, ndërsa në një intervistë për “infOSport.mk”, ai shpalosi edhe ëndërrat e tij.
“Ëndërra ime është që një ditë të luaj te Barcelona.
Skuadra spanjolle është ajo që e preferojë më së shumti, por njëkohësisht edhe La Ligan spanjolle. Jam i vetëdijshëm se një ëndërr e tillë është e vështirë për tu realizuar, mirëpo me punë dhe shumë përkushtim, mendoj se asgjë nuk është e paarritshme” – thotë Arian Xhaferi, i cili gjatë stinorit vjeshtor me ekipin U16 të Rabotniçkit në 15 ndeshje realizoi 9 gola, ndërsa gjithashtu kontribuoi për skuadrën e tij edhe me 5 asistime.
Janë shifra këto mbresëlënëse për një futbollistë të moshës së tij, që gjithashtu me mjaft sukses po luan edhe me kombëtaren U16 të Maqedonisë, aty ku për trajner ka Dragan Naçevskin.
Ai si pjesë e Akademisë së përfaqësueses futbollistike të Maqedonisë, gjithashu kishte luajtur edhe me ekipet U14 dhe U15, duke regjistruar kështu gjithsej 12 paraqitje.
Në bisedë e sipër me ne, Ariani tregoi edhe futbollistin e tij të prferuar shqiptarë, Jasir Asanin, derisa nga ato të huaj, i njëjti pëlqen futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave, Lionel Messin.
Edhe nëse nuk do të arrinte të bëhej si Messi, shpresojmë që një ditë Ariani të paktën të arrijë të luaj me skuadrën e tij të preferuar, Barcelonën, aty ku futbollisti i tij i preferuar argjentinas, i kishte thyer të gjitha rekordet e mundshme.