Fabio Capello, pas fitores së Interit në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë kundër Atalantës, e analizoi ndeshjen në faqet e “Gazzetta dello Sport”:
“Nga pikëpamja fizike, Atalanta ishte në nivel, nuk më ka shqetësuar fare. Ishte një ndeshje e vërtetë, nuk mund të thuhet që Interi e kaloi lehtësisht. Thjesht, skuadra e Inzaghit është në një nivel më të lartë.
Është e tonifikuar, e gjallë, e organizuar.
Të gjithë marrin pjesë në veprim dhe pastaj vrapojnë mbrapa, kur është e nevojshme. Ia vlen të shtojmë se në aspektin taktik, plani i Inzaghit, që nxjerr gjithmonë jashtë loje tre lojtarë kundërshtarë nën presion, ka funksionuar perfekt”.
Një nga protagonistët e mbrëmjes ishte Dumfries, ndoshta jo nga lojtarët më të shumëpritur: “Është pothuajse një sulmues shtesë, madje në pjesën e parë ishte tashmë i vetëm përpara Carnesecchit, para se të shënonte. Mendoja se mund të ishte penallti, por në fakt, kur e pashë përsëri, ishte veprim i mençur i Chiffi që nuk e akordoi.
Çështja, megjithatë, është se Interi, me dy ‘pistonë’ si holandezi dhe Dimarco, ka dy lojtarë që mund të të bëjnë dëm edhe në korsi. Ata janë të aftë për t’u hedhur në hapësira dhe kanë gola në këmbë”.
Me probleme para portës kundërshtare është shfaqur kohët e fundit Lautaro, përtej golit të shënuar ndaj Cagliari, në ndeshjen e fundit të kampionatit: “Edhe ndaj Atalantës u duk se kishte kaluar një bllokadë deri në ndeshjen e fundit të 2024-ës. Besova se u zhbllokua, por përkundrazi, në ndeshjen e parë të 2025-ës humbi një mori mundësish.
Sidoqoftë, i mbetem mendimit tim: problemet për sulmuesit fillojnë kur nuk krijohen mundësi, jo kur i humbin ato. Lautaro lëvizi shumë mirë edhe mbrëmë. Le të themi që tani nuk ka ndjeshmëri për golin, por e nuhat mundësinë (qesh)”.