Olmo në udhëkryq

Futboll

Olmo në udhëkryq

Më: 3 janar 2025 Në ora: 13:23
Dani Olmo

Agjenti i Dani Olmo, Andy Bara, ka dhënë një intervistë për “GiveMeSport”, ku ka ndarë detaje mbi situatën aktuale të lojtarit dhe të kaluarën e tij në merkato.

Aktualisht, Olmo është jashtë liste te Barcelona për shkak të kufizimeve të vendosura nga La Liga, pasi licenca e tij e regjistrimit ka skaduar më 31 dhjetor dhe nuk është rinovuar deri në fund të sezonit.

Përpjekjet e klubit katalanas për ta rregulluar situatën nuk kanë dhënë rezultat deri më tani.

Bara tregoi mbështetjen e tij për Barcelonën dhe presidentin Joan Laporta, duke shprehur besim të plotë në projektin e klubit katalanas: “E respektojmë Laportën dhe Decon. Ata kanë bërë një përpjekje të madhe për ta marrë Dani verën e kaluar. Projekti i tyre është ndër më të mirët për të ardhmen dhe besojmë se Barça do të fitojë shumë tituj, si në epokën e Messit. Dani, familja e tij dhe unë kemi dashur që ai të jetë pjesë e Barcelonës”.

Lidhur me pengesat e krijuara nga La Liga, ai shtoi: “Mund të duket çudi, por jam i qetë. Besoj te Laporta dhe Deco, jam i sigurt që do ta gjejnë një zgjidhje për Danin. Barça është një klub i madh dhe do ta përballojë këtë sfidë. La Liga duhet ta ndihmojë, në vend që të përhapë lajme që Dani nuk është i disponueshëm për kombëtaren. Jam i bindur se Dani do të jetë te Barça për shumë vite, ndihet i lumtur aty”.

Bara gjithashtu zbuloi një prapaskenë nga e kaluara, kur Olmo ishte afër transferimit te Bayern Munich, në kohën kur luante për Dinamo Zagreb: “Kur Dani ishte te Dinamo, Bayerni ofroi më shumë para dhe marketingu i tij ishte më i madh.

Gjithsesi, ne i dhamë fjalën Leipzigut dhe Oliver Mintzlaff, të cilët na paraqitën një projekt sportiv të qartë. Nuk është gjithmonë paraja, ajo që ka rëndësi, as në jetë dhe as në futboll”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat