A beson Salah te “Topi i Artë”?

Futboll

A beson Salah te “Topi i Artë”?

Më: 3 janar 2025 Në ora: 14:10
Mohamed Salah

Mohamed Salah, gjithmonë në qendër të vëmendjes, mes qëndrimit te Liverpool-i dhe largimit të mundshëm, ka bërë një tjetër deklaratë të fortë. Në një intervistë për “TNT Sports Mexico”, ylli egjiptian filloi duke folur për bazat e karrierës së tij. “Idhulli im? Ronaldo Nazario”, – tha ai, duke iu referuar “Fenomenit”, që luajti për Interin dhe Milanin, ndër të tjera, dhe fitoi dy herë “Topin e Artë” (1997 dhe 2002).

Më pas, ish-lojtari i Fiorentinës dhe Romës u ndal te sezoni aktual i Liverpool-it, që po dominon Premier League: “Dua të fitoj titullin e Premier League më shumë sesa Champions League këtë vit. E dua me të vërtetë, edhe si ekip e duam”.

Egjiptiani shtoi një vlerësim mbi performancën e tij këtë sezon, ku ka realizuar 17 gola dhe dhënë 13 asiste në kampionat. Shifra këto që, sipas disa mendimeve, e vendosin atë në garë për “Topin e Artë”. Salah, megjithatë, mbetet modest: “A jam më i miri në botë? Është e komplikuar. Njerëzit kanë preferenca të ndryshme… Gjithmonë e shoh veten si më të mirin dhe dua të jap maksimumin për skuadrën”.

Në lidhje me ndikimin e madh që ka pasur trajneri Arne Slot, pas largimit dramatik të Jurgen Klopp: “Para se të punoja me të, nuk e prisja që të ishte kaq i mirë. Pastaj filluam të punonim së bashku dhe nuk jam aspak i befasuar.

Është i jashtëzakonshëm në detaje. Një mjeshtër i gjërave të vogla, nuk shfaq ego kur bën një gabim…, është fantastik në taktikë”.

Së fundmi, Salah foli për dhënien e “Topit të Artë” spanjollit Rodri dhe jo Vinicius Jr., ndërsa ai vetë votoi për brazilianin: “Vinicius Jr. është një lojtar shumë i mirë, prandaj votova për të. Po përmirësohet çdo vit dhe shpresojmë që të vazhdojë kështu. E votova sepse e meriton”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat