Thuram në dyshim

Futboll

Thuram në dyshim

Më: 3 janar 2025 Në ora: 14:46
Thuram e Lautaro

“Lodhje e lehtë në muskujt e aduktorit të kofshës së majtë.” Interi, që gjatë pjesës së dytë të ndeshjes ndaj Atalantës luajti pa Thuram, e ka përditësuar menjëherë situatën e sulmuesit zikaltër.

Nuk duket diçka serioze, por përfundimisht do të vlerësohet në orët e ardhshme, përpara finales së madhe të Superkupës së Italisë.

Pas ndeshjes, trajneri Inzaghi nuk e sqaroi gjendjen e Thuram: “Ndjeu një problem të vogël, muskujt iu tendosën dhe nuk ndihej i lirshëm. Janë 4 ditë deri nga tani deri në finale, do të shohim nëse do të jetë i gatshëm”.

Nëse francezi nuk duhet të rrezikohet, atëherë Taremi është gati ta zëvendësojë. Pritet të shihet si do të funksionojë çifti Lautaro-Taremi në një finale, duke pasur parasysh formën aktuale të të dyve. Iraniani po kalon një krizë finalizimi, ka shënuar vetëm një gol deri më tani, edhe ai me penallti në ndeshjen më të lehtë të sezonit kundër Crvena Zvezdës, në Champions League.

Nga ana tjetër, Lautaro duket gjithashtu larg formës më të mirë. Kundër Atalantës, argjentinasi pati të paktën 4 raste të pastra për gol. Dy goditje të tij shkuan jashtë portës bergamaske, ndërsa dy të tjera u ndalën nga Carnesecchi, në formë të jashtëzakonshme.

Megjithatë, nga një lojtar i kalibrit të tij pritet më shumë, pavarësisht performancës së portierit kundërshtar. Kapiteni ishte nota më e dobët e një ndeshjeje gati perfekte për Interin. Goli ndaj Cagliarit dukej se do ta çlironte nga presioni i madh, por periudha e zymtë në fazën sulmuese vazhdon.

Statistikat e dyshes Lautaro-Taremi

Që nga ardhja e Taremit tek Interi, të dy kanë luajtur së bashku për 366 minuta në 16 ndeshje: një humbje (Leverkusen), tri barazime (Genoa, City dhe Juventus), dhe vetëm fitore në pjesën tjetër. Mesatarisht, ata kanë ndarë vetëm 23 minuta për ndeshje, duke e bërë të vështirë krijimin e një harmonie sulmuese.

E vetmja ndeshje ku të dy kanë shënuar është ajo kundër Crvena Zvezdës. Në 15 rastet e tjera, Lautaro ka realizuar vetëm një dopietë ndaj Udinese, një gol ndaj Empolit dhe një tjetër ndaj Cagliarit. Taremi, nga ana tjetër, nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës.

Pavarësisht vështirësive të tij me Interin, Taremi ka një reputacion si lojtar finalesh.

Me Porton ka fituar dy Superkupa (duke shënuar dy gola në njërën prej tyre), tri Kupa të Portugalisë (tre gola në tri finale) dhe një tjetër trofe në Katar. Tani mbetet për t’u parë nëse, po luajti, do të shfaqet Taremi i Portos apo ai i muajve të parë me Interin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat