De Zerbi: Kampionati francez më i fortë se sa vlerësohet jashtë

Futboll

De Zerbi: Kampionati francez më i fortë se sa vlerësohet jashtë

Më: 3 janar 2025 Në ora: 21:03
Trajneri i Marseille, Roberto De Zerbi

Trajneri i Marseille, Roberto De Zerbi, ka thënë se Ligue 1 është shumë më e fortë nga sa vlerësohet jashtë vendit.

Ligue 1 prej kohësh shihet si më e dobëta ndër ligat kryesore të Evropës – Angli, Spanjë, Gjermani dhe Itali – ndërsa klubet e saj shpesh kanë dështuar në garat ndërkombëtare. Gjithashtu, liga është dëmtuar nga një marrëveshje transmetimi që sjell të ardhura shumë më të ulëta në krahasim me rivalët e saj.

“Mendoj se Ligue 1 nuk është promovuar aq mirë (si produkt) dhe nuk ka të njëjtin shkëlqim si Premier League, e cila është liga më e mirë në Evropë, apo Serie A, La Liga dhe Bundesliga,” tha De Zerbi.

Trajneri italian është shprehur se mungesa e ekspozimit mediatik jashtë vendit dëmton reputacionin e kampionatit francez. “Nuk e di nëse është menaxhuar keq apo thjesht është keqpromovuar jashtë vendit. Në Itali, për shembull, askush nuk mund të shohë ndeshjet e Marseille dhe kjo është për të ardhur keq”, ka thënë tekniku italian. 

De Zerbi gjithashtu ka theksuar se lojtarët e Ligue 1 shpesh transferohen për të luajtur në kampionate më të vlerësuara si Anglia dhe Gjermania.

“Franca është një vend që e dashuron futbollin. Është për të ardhur keq që jashtë nuk vlerësohet për atë që ofron”, ka thënë De Zerbi. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat