Cristiano Ronaldo ka qenë kohët e fundit në qendër të thashethemeve, që e lidhin emrin e tij me mundësinë e kalimit te klube si PSG.
Në mes të këtyre spekulimeve, sulmuesi i Al-Nassr ka bërë të qartë se fitimi i Ligës së Kampionëve të Azisë është synimi i tij kryesor për vitin 2025.
Ronaldo foli hapur për situatën e tij aktuale në një intervistë, duke riafirmuar angazhimin e tij për Al-Nassr: “Jam i lumtur. Familja ime është e lumtur. Ne e rregulluam gjithçka në këtë vend të bukur. Jeta është e mire këtu. Për mua, gjëja më e rëndësishme është të jem profesional, të shtyj fort përpara, ta respektoj klubin, t’i respektoj kontratat”.
Pra, ylli portugez nuk ka asnjë qëllim të largohet nga klubi para kohe. Për ecurinë e Al-Nassr këtë sezon, Cristiano e pranoi zhvillimin individual dhe kolektiv të ekipit: “Futbolli është i mirë sa iu përket individëve. Kolektivisht, ende po përmirësohemi. Futbolli është kështu, ndonjëherë ka momente të mira, ndonjëherë të këqija. Është e vështirë të konkurosh me Al-Hilal dhe Al-Ittihad, por ne jemi aty, ende po shtyjmë, luftojmë. Besojmë se gjërat do të ndryshojnë”.
Pakënaqësia e Ronaldos me performancën e Al-Nassr në ligë është e kuptueshme. Ekipi e nisi sezonin me qëllimin për të konkuruar për titull, por pas 13 ndeshjesh, ata ndodhen aktualisht në vendin e katërt, 11 pikë pas liderëve të Al-Ittihad.
Duke shikuar përpara në vitin e ri, CR7 mbetet i fokusuar në objektivat e tij: “Al-Nassr do të përpiqet të fitojë më shumë tituj, Liga e Kampionëve e Azisë është diçka që e ëndërroj. Dua ta fitoj për klubin dhe gjithashtu ligën. Gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë të shtyjmë përpara dhe të jemi profesionalë”.
Me një situatë të vështirë në Ligën Profesionale Saudite, fokusi kryesor i Al-Nassr është tani në Ligën e Kampionëve të AFC, ku klubi ndodhet në një pozicion premtues. Ekipi i Cristiano Ronaldos ka arritur një rekord mbresëlënës prej 4 fitoreve, një barazimi dhe një humbjeje, duke grumbulluar 13 pikë në fazën e grupeve.
Aktualisht në vendin e katërt, në zonën B, Al-Nassr mbetet brenda kualifikimit për fazën me eliminim direkt, megjithëse pozita e tij ende nuk është e sigurt. Sfida e ardhshme në turne do të jetë më 3 shkurt, kur do të përballet me Al Wasl, duke shpresuar të vazhdojë serinë pozitive dhe sigurojë vendin në fazën tjetër të kompeticionit.
Që kur iu bashkua Al-Nassr, Ronaldo ka luajtur një rol kyç në ngritjen e profilit të ligës. Duke reflektuar mbi dy vitet e tij në këtë vend, portugezi shprehu krenarinë për rritjen e Ligës Profesionale Saudite: “Për mua është një nder që liga po rritet dhe shumë lojtarë cilësorë po vijnë këtu. Të gjithë e kanë bërë ligën edhe më të mirë, më konkurruese. Të isha i pari, le të themi, yll që erdhi këtu, për mua është një nder”.
Megjithatë, ai nuk është i kënaqur thjesht me rolin e “pionierit”: “Unë do të vazhdoj të shtyjë për ta ndihmuar Al-Nassr të fitojë tituj, le të shohim si do të zhvillohen ngjarjet. Kam besim se ky vit do të jetë i mirë për Al-Nassr”.
Përtej qëllimeve të tij të menjëhershme me Al-Nassr, Ronaldo foli për vizionin afatgjatë në futbollin saudit: “Ajo që pres është që në 5, 10 vitet e ardhshme, kjo ligë të vazhdojë të përmirësohet. Jo vetëm ekipet e para, por edhe akademitë”.
Qëllimi i Ronaldos është të lërë një trashëgimi të qëndrueshme në Arabinë Saudite, jo vetëm për ligën, por për zhvillimin e përgjithshëm të futbollit në vend: “Dua të ndikoj pozitivisht jo vetëm për të ardhmen e Ligës Saudite, por për krejt vendin, që të konkurrojë me ligat e tjera. Kjo është ëndrra ime, që vendi dhe liga të arrijnë atë nivel”.