Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, tha se ndjehet përgjegjës për formën zhgënjyese të ekipit të tij këtë sezon. Kujtojmë se “qytetarët” kanë fituar vetëm 2 nga 10 ndeshjet e tyre të fundit në Premier League.
Rrugëtimi i keq e ka lënë kampionin aktual të Anglisë në vendin e gjashtë të renditjes me 31 pikë në 19 ndeshje, 14 pikë më pak se lideri, Liverpool, i cili ka një ndeshje më pak.
Fushata e Manchester City është penguar nga një seri dëmtimesh, me fituesin e “Topit të Artë” 2024, Rodri, portierin Ederson, si dhe mbrojtësit John Stones e Ruben Dias midis më të prekurve.
“Ka shumë, shumë gjëra që na dërguan në këtë krizë. Edhe unë humba diçka, diçka që nuk po e bëj siç duhet, – tha Guardiola para ndeshjes së kësaj të shtune në shtëpi kundër West Ham United. – Pas të gjithave, kur humb shumë ndeshje, trajneri ngarkohet me përgjegjësi shumë të lartë.
Është diçka për të cilën ekipi ka nevojë, besimi, gjë që unë nuk kam mundur t’ia ofroj këtë përiudhë. Përgjegjësia është e imja në radhë të parë, jo e lojtarëve. Natyrisht, ata e ulën pak nivelin dhe kjo është normale.
Kjo ndodhi pak edhe vitin e kaluar, por fajësoj veten. Nuk është thënë: Oh, sa i shkëlqyer është Pep, jo. Unë e udhëheq këtë grup lojtarësh dhe nuk kam mundur t’i ngrej ata. Ky është realiteti”.
Gjatë konferencës për shtyp të ditës së premte, trajneri i Manchester City foli edhe për merkaton e janarit e mundësinë e afrimit të lojtarëve të rinj: “Do të jetë e vështirë. Ndoshta do të blejmë dikë, ndoshta nuk do të blejmë askënd.
Klubi duhet të jetë i mençur, nuk blihet thjesht për të bërë diçka. Duam të shtojmë forca për shkak të situatës që kemi, sepse lojtarët shpeshherë kanë dëmtime të vazhdueshme. Klubi duhet ta bëjë këtë, por nuk jam i sigurt nëse do të jetë e mundur”.