Nga kapiteni tek kapiteni, çfarë do t’i thonit Lautaro Martinezit?
Kjo ishte pyetja që iu drejtua Giuseppe Bergomit, flamuri i përjetshëm i Interit, i intervistuar nga “Gazzetta dello Sport” për vështirësitë që ka pasur sulmuesi argjentinas para portës, të cilat u vunë re edhe në ndeshjen e fundit kundër Atalantës, në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë.
“Çfarë do t’i thosha? Të qetësohet, por tashmë është i qetë, duket në fytyrën e tij, lexohet në sytë e tij. Në periudhat e vështira të kaluara kishte një shprehje shumë më të errët. Nuk shoh një problem mental, për mua nuk ka ende asnjë S.O.S për t’u shpallur.
Ekipi po funksionon, të tjerët po shënojnë, performanca nuk mungon. Sigurisht, nëse mendoj për të ardhmen e këtij ekipi, nuk mund të shohim përpara pa golat e Lautaros. Për të fituar trofe, golat e tij janë të nevojshëm. Dhe do të vijnë…”, – u përgjigj Bergomi.
A e keni vënë re se herë pas here, Interi e ka tepruar, duke u munduar të bëjë që Lautaro të shënojë?
Po, dhe është gabim. Unë, nëse kam mundësinë të gjuaj, duhet të gjuaj. Asisti për Lautaron çdo herë nuk ka kuptim.
Lautaro, referencë për të gjithë, por Interit i mungojnë golat e tij
Simone Inzaghi dhe Interi vazhdojnë ta mbështesin Lautaro Martinezin, megjithëse ka pasur vështirësi në fazën e shënimit të golave. Sulmuesi argjentinas është në fakt “mbrojtësi” kryesor i skuadrës: ai vrapon, mbron, ndihmon shokët e ekipit dhe është referenca e parë për të gjithë.
Performancat e tij vazhdojnë të jenë të çmuara për ekipin, ndërkohë që kanë filluar të mungojnë golat e tij. Goli i fundit i argjentinasit u shënua më 28 dhjetor kundër Cagliarit. Në fakt, ai ka shënuar vetëm 7 gola në 23 paraqitje për këtë sezon. Një mesatare e ulët krahasuar me sezonin e kaluar, por ka shënuar ngritje kur ka veshur fanellën e Argjentinës.