Sacchi: Kush do ta besonte reagimin e Milanit

Futboll

Sacchi: Kush do ta besonte reagimin e Milanit

Më: 4 janar 2025 Në ora: 13:00
Sacchi

“Kush do ta kishte besuar atë reagim pas pjesës së parë? Unë sigurisht jo”. Ky është reagimi i habitur i Arrigo Sacchi në intervistën që i dha “Gazzetta dello Sport” lidhur me përmbysjen që realizoi Milani në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë ndaj Juventusit. Pavarësisht se e mbylli me lojë të keqe dhe disavantazh 1-0 pjesën e parë, skuadra kuqezi gjeti forca dhe reagoi, duke e mbyllur ndeshjen me fitoren 2-1. Kjo i dha mundësinë “Djallit” të kalonte në finalen e Superkupës Italiane kundër Interit.

“Pas pushimit isha i bindur se Juventusi do të mbante avantazhin, madje më pas do ta thellonte atë. Sidoqoftë, papritmas historia ndryshoi. Kjo është pjesë e futbollit. Madje do të thoja se kjo është bukuria e futbollit”, – nënvizoi Sacchi.

Theo Hernandez bëri një gafë (kundër Yildiz, te goli bardhezi): “Po si mund të bësh një diagonale të tillë? Kjo do të thotë të mos jesh i përqendruar, të mos jesh në moment, të mos lexosh zhvillimin e aksionit. Megjithatë, pas atij gabimi u rikuperua dhe kjo tregon se ka karakter”.

Çfarë mund të nënkuptojë kjo fitore për Milanin: “Mendoj se është një sinjal pozitiv pas ndryshimit në pankinë. Është e qartë se, nga ana taktike, Sergio Conceiçao nuk ka pasur kohë për të ndikuar. Gjithsesi, reagimi në pjesën e dytë ka qenë i dukshëm. Grupi, padyshim, ka energji për t’i kthyer situatat negative dhe ka njohuri futbollistike për ta përballuar edhe një kundërshtar të vështirë si Juventusi”.

Tani do të kemi derbi në finale, Inter kundër Milanit për Superkupën e Italisë. Cili është ekipi favorit?

“Përgjigja është e lehtë: Interi. Zikaltrit nuk janë të fortë, në fakt janë të jashtëzakonshëm. Është një ekip i pjekur, ai i Simone Inzaghit. Po rritet ndeshje pas ndeshjeje. Kjo do të thotë se ky Inter që ka një punë të madhe nga pas, një projekt për t’u ndjekur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat