Presidenti në largim i SHBA, Joe Biden do t’i akordojë “Medaljen Presidenciale të Lirisë” Lionel Messit, raporton CBS. Ceremonia do të mbahet sot, më 4 janar 2025, në Shtëpinë e Bardhë.
“Medalja Presidenciale e Lirisë” është nderimi më i lartë civil në Shtetet e Bashkuara, i cili vlerëson individë që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në prosperitetin e vendit, në vlerat e tij, sigurinë, paqen botërore, ose në fusha të tjera me ndikim të madh shoqëror.
Lionel Messi, i cili aktualisht luan për Inter Miami në “Major League Soccer”, po nderohet për kontributet e tij të jashtëzakonshme në sportin e futbollit, për ndikimin e tij si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.
Mes individëve të tjerë të shquar që do ta marrin këtë nderim janë ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, aktorët Denzel Washington dhe Michael J.Fox, muzikanti Bono, shefi i kuzhinës José Andrés dhe legjenda e basketbollit Magic Johnson. Ky vlerësim thekson ndikimin global të Messit dhe admirimin që ai ka fituar në Shtetet e Bashkuara e në mbarë botën.