Dani Olmo është një provë tjetër

Futboll

Dani Olmo është një provë tjetër

Më: 4 janar 2025 Në ora: 14:30
Jorge Valdano

Jorge Valdano, lojtar i Real Madridit nga viti 1984 deri në 1987 dhe trajner i ekipit merengues nga 1994 deri më 1996, ka dhënë një intervistë për “Süddeutsche Zeitung”.

Në të ka analizuar aktualitetin e Real Madridit, ka shqyrtuar futbollin spanjoll dhe vlerësuar ndryshimet që duket se po ndodhin në futbollin botëror.

Në një bisedë të gjatë me Javier Cáceres, ish-futbollisti 69-vjeçar, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur për Neëell’s Old Boys, Deportivo Alavés, Real Zaragoza dhe Real Madridin, si dhe ka trajnuar Tenerife, Real Madridin e Valencian, mbrojti rëndësinë e Argjentinës në futbollin botëror: “Ne vazhdojmë të jemi autoritet, sepse prodhojmë një Alfredo Di Stéfano, një Diego Maradona apo një Messi, ashtu siç Brazili ka prodhuar një numër të madh yjesh nga koha e Pelé deri te Vinicius sot. Argjentinasit e përjetojnë futbollin me një pasion si askush tjetër”.

Jorge Valdano del kundër Botërorit të ri të Klubeve: Nuk më pëlqen fare, ndihem shumë i lidhur me traditat për këtë. Kjo do të thotë të respektohet pikëpamja e tifozëve. Ata nuk duan që t’iu ndërhyhet me ndryshimet në kompeticionet ekzistuese, ose krijimin e turneve të rinj.

Në përballjen mes futbollit ‘primitiv’ dhe atij ‘modern’, ky i fundit fiton. Biznesi është bërë kaq i madh sa po imponon kushtet e veta edhe mbi futbollin. Pra, po përpiqet ‘të civilizojë’ atë që fillimisht ishte një lojë e ‘egër’ dhe ‘primitive’. Kjo po tentohet, fjala vjen, përmes teknologjisë”.

Pra, Valdano është kundër VAR-it: “Një ditë, një robot i veshur me të zeza do të gjykojë në futboll. Ne e lejuam këtë gjë në fushë përmes VAR-it, ndaj nuk jemi shumë larg ditës kur një robot i veshur me të zeza do të gjykojë. Si tifoz, e urrej këtë. Ne duam një futboll të ngjashëm me atë që luanim në parkun e lagjes, ku të gjithë e dinim se çfarë është një faull, çfarë është një 11-metërsh dhe çfarë është pozicioni jashtë loje”.

Valdano foli edhe për Superligën Europiane, që kundërshtohet ashpër nga UEFA: “Vetëm Florentino Pérez e njeh të padukshmen. Do të bënin mirë të mos e nënvlerësonin Florentinon. Në futboll, e padukshmja po merr gjithnjë e më shumë kuptim se sa ajo që është e dukshme. Është e qartë se vetëm Real Madridi dhe Barcelona e mbështesin idenë e Superligës. Vetëm Florentino e di të padukshmen. Nëse ai vazhdon të ketë besim në këtë Superligë, është sepse duhet të ketë një lloj dialogu, për të cilin ne dimë shumë pak. E përsëris: Thelbësisht do të bënin mirë të mos e nënvlerësonin Florentinon.

Tifozët e refuzuan Superligën, veçanërisht ata anglezë, duke dalë në rrugë, bashkë me qeverinë britanike, gjë që ndezi frikën mes investitorëve. Është e vështirë për mua të imagjinoj një rrugë kthimi. Sepse kjo do të thotë të largosh tifozët anglezë ose gjermanë nga pozitat e tyre”.

Kështu e sheh Jorge Valdano futbollin e së ardhmes: “Unë e mendoj më akademik. Pra, si sport i dalë nga një laborator, mund të thuhet kështu. Ky është tipi që paraqesin Kylian Mbappé dhe, veçanërisht, Erling Haaland. Është një figurë pothuajse robotike, e mahnitshme, e cila ka një prapavijë ndryshe nga të gjithë ata që e kanë paraprirë.

Derisa ende luaja futboll, gjithmonë thoja se ajo që më mungonte si lojtar ishin centimetrat, sikur t’i kisha më shumë. Tani shfaqet dikush që është 15 centimetra më i gjatë se unë dhe, ja, asgjë në të nuk është tepër. Përkundrazi. Haaland, fjala vjen, e përdor strukturën fizike në favor të tij. Sidoqoftë, asnjë akademi futbolli nuk ka arritur ende të riprodhojë atë që na mësoi rruga.

Futbolli i rrugës ka qenë gjithmonë një strehë e diversitetit. Ai që ishte ndryshe shikohej ndryshe. Kushdo që dilte jashtë zakonit në fshatin tim fitonte një reputacion që e ndihmonte jo vetëm në fushë, por gjithashtu kur donte të hynte në barin e lagjes. Akademitë, nga ana tjetër, përmirësojnë të dobëtit dhe përkeqësojnë ata që janë ndryshe”.

Valdano dha mendimin e tij edhe mbi situatën e Dani Olmos te Barcelona: “Ky rast është një provë tjetër e analfabetizmit tonë të pakundërshtueshëm futbollistik. Erdhi te Barcelona dhe na befasoi aq shumë me lojën e tij, sikur të ishte shfaqur nga asgjëja. Ai ka luajtur në Bundesliga (te RB Leipzig) dhe në kombëtaren spanjolle”.

Një gjykim edhe për trajnerin aktual të Barcelonës: “Flick është njeri që fshihet pas një maske serioziteti dhe anglishtes së tij. Për këtë arsye nuk dimë si ta interpretojmë. Na foli përmes ekipit të tij. Kishte tingëlluar shumë mirë gjatë tre muajve të parë, por kohët e fundit është ngatërruar pak dhe ne po e projektejmë këtë te Flick. I gjithë qëndrimi i tij është i mirë për futbollin. Mënyra se si vendoset në dispozicion të tifozëve pas stërvitjes dhe pozon me secilin për një ‘selfie’, ose iu jep një autograf, është brilante.

Për më tepër, më jep përshtypjen se është shumë direkt. Kur Barcelona fitoi 4-0 ndaj Real Madridit, ekipi i kërkoi një ditë pushim. Ai nuk e lejoi këtë, të nesërmen të gjithë duhej të stërviteshin në orën 10. Nuk e di nëse epiteti është i ligjshëm, por në Spanjë e konsiderojmë shumë, shumë gjerman. Megjithatë, ndonjëherë kam ndjenjën se gjithçka e planifikuar është më e rëndësishme se gjithçka tjetër”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat