Ndeshja mes Romës dhe Lacios kthehet përsëri në darkë, siç nuk ndodhte prej shumë vitesh për çështje sigurie.
Dhe kjo ka bërë që policia italiane të jetë në gjendje gatishmërie para duelit i cili zakonisht ka sjellë përplasje mes tifozerive.
Gjatë pasdites, forcat e rendit në kryeqytetin italian kanë penguar një përplasje mes më shumë se 300 tifozëve të të dy skuadrave të cilat ishin afruar rrezikshëm me njëri-tjetrin.
Pasi është vendosur qetësia, ka nisur kontroll i rastësishëm mes tifozëve dhe ashtu siç pritej, është zbuluar një arsenal i mirëfilltë armësh mes tyre.
Policia ka bërë të ditur se ka gjetur biçakë, thika kuzhine, shufra plastike me majë metalike prerëse, shkopinj bejsbolli apo doreza metalike, pasi tifozët përgatiteshin për një betejë të hapur në sheshet e Romës.
Gjithashtu, janë sekuestruar materiale të shumta piroteknike, që nuk lejohen të futen në stadium për ndeshjen në fjalë.