Virgil van Dijk ka hyrë në muajt e fundit të kontratës me Liverpoolin.
Qendërmbrojtësi holandez nuk e di nëse do të jetë pjesë e ekipit nga “Anfield Road” apo jo edhe në edicionin e ardhshëm.
Njëri prej mbrojtësve më të mirë në botë në pesë vjetët e fundit thotë se s’ka asgjë të re rreth kontratës, por që ndërkohë nuk po brengoset për këtë punë.
“Nuk ka asgjë të re. Por, unë jam i qetë për këtë, siç e kam thënë edhe muaj më parë. Do të shohim se çka do të ndodhë në të ardhmen dhe në këtë pikë nuk ka absolutisht asgjë të përditësuar”, deklaroi Van Dijk për “Sky Sports”.
Ai është në pritje të drejtuesve të “Reds” për një propozim të ri pasi në të kundërtën, nga 1 janari është i lirë të negociojë dhe madje edhe të bëjë parakontratë me një klub tjetër.
Njëjtë si për veteranin e mbrojtjes, pezull ka mbetur edhe puna me Mohamed Salahun, të cilit po ashtu do t’i skadojë kontrata në fund të këtij sezoni.
Natyrisht, të dy janë pjesë e rëndësishme e ekipit të Arne Slotit, i cili po shkon me hapa të sigurt drejt një sezoni fantastik dhe të trofeshëm.