Milan ka arritur një përmbysje dramatike për të mposhtur rivalët e qytetit, Inter, me rezultatin 3-2 në finalen e Superkupës së Italisë të zhvilluar në Riad.
Tammy Abraham ka qenë heroi i "kuqezinjve", duke shënuar golin e fitores në momentet e fundit dhe duke i dhuruar Sergio Conceiçao trofeun e tij të parë si trajner i klubit në vetëm ndeshjen e tij të dytë.
Ndeshja ka nisur me dominim të të Interit, që ka krijuar disa mundësi. Mehdi Taremi ka humbur një rast pas një goditje me kokë, ndërsa Federico Dimarco ka testuar portierin Mike Maignan.
Nga ana tjetër, Milan ka pasur një mundësi të mirë me Tijjani Reijnders, por goditja e tij ka përfunduar jashtë.
Pjesa e parë ka njohur një lëndim të Hakan Çalhanoglu, i cili është zëvendësuar nga Kristjan Asllani. Megjithatë, Inter ka kaluar në epërsi në minutën e dytë shtesë me anë të Lautaro Martínez, i cili ka përfunduar me sukses një aksion të shpejtë me Dimarco, Henrikh Mkhitaryan dhe Taremi.
Vetëm dy minuta pas rifillimit të pjesës së dytë, Inter e ka dyfishuar avantazhin. Një pasim nga Stefan de Vrij e ka kaluar mbrojtjen e Milan dhe Mehdi Taremi ka shënuar për 2-0.
Por Milani nuk është dorëzuar dhe ka reaguar shpejt. Rafael Leao e ka fituar një goditje dënimi në afërsi të zonës, të cilën Theo Hernandez e ka shndërruar në gol me një goditje precize.
Pas golit loja është bërë më e hapur, me Christian Pulisic që ka testuar portierin Yann Sommer dhe Alessandro Bastoni që ka bllokuar një tjetër goditje nga Reijnders. Alvaro Morata gjithashtu e ka rrezikuar portën e Inter, por Sommer ka treguar aftësitë e tij.
Inter ka rifituar kontrollin, por kur dukej se kishte kaluar rreziku, Milani e ka barazuar rezultatin. Në minutën e tetëdhjetë Pulisic ka shënuar nga afërsia.
Inter ka pasur mundësinë të rikthehet në avantazh me dy raste të Denzel Dumfrees, por saktësia ka munguar.
Në minutën e nëntëdhjetë e tretë, Tammy Abraham ka shënuar golin e fitores pas një pasimi të saktë nga Rafael Leao, duke e dërguar topin në portën e zbrazët.