Cristiano Ronaldo ka arritur të lërë shenjë në historinë e futbollit edhe në moshën 37-vjeçare, kur shumica e kolegëve të tij mendojnë vetëm për të shijuar “pensionimin”. Protagonist në fushë, ku ka thyer rekorde mbi rekorde, portugezi ka pushtuar edhe faqet e para të gazetave për transferimet e tij.
Në tregun e janarit 2022, për shembull, të gjitha titujt i dedikoheshin sfidës së tij të radhës profesionale: kalimi tek Al Nassr, pas zgjidhjes së kontratës me Manchester United. Ronaldo do të bëhej kështu ambasador i lëvizjes futbollistike saudite, që në sesionin e ardhshëm të merkatos verore do të priste shumë futbollistë nga Europa për shifra astronomike.
SHKËPUTJA – Aventura e dytë e Ronaldos te Manchester United nisi të krisej disa muaj para kalimit të tij në Arabinë Saudite, me ardhjen në pankinë të Ten Hag. Marrëdhënia mes tyre nuk ka qenë kurrë idilike dhe u përkeqësua gjatë një pasditeje të nxehtë gushti, kur Cristiano vendosi të largohej nga stadiumi para se të përfundonte një miqësore, pasi ishte zëvendësuar.
Që nga ai moment, situata vetëm u përkeqësua dhe muajt e fundit të pesë herë fituesit të “Topit të Artë” me fanellën e “Djajve të Kuq” ishin më të vështirët e karrierës së tij, siç ka pranuar në mes të nëntorit: “Manchester United ka tentuar të më detyronte të largohesha, kam pasur ndjesinë se shumica e njerëzve nuk më donin më. Nuk kam respekt për Ten Hag, ashtu si ai nuk më ka respektuar mua. Kjo ishte periudha më e vështirë e jetës sime”.
NJË SFIDË E RE – Pas mbylljes së periudhës në Angli, ishte koha për të menduar për Botërorin në Katar me Portugalinë dhe zgjedhur klubin e ardhshëm. Aty filluan të qarkullonin thashethemet për një kalim të mundshëm të Ronaldos në Arabinë Saudite. Pas eliminimit në çerekfinale nga Maroku, ylli portugez ishte i lirë të nënshkruante një kontratë të re.
Ndërkohë, ai do të stërvitej disa ditë në Valdebebas, qendra teknike e Real Madridit, gjë që kishte bërë të mendohej për një mundësi rikthimi të papritur në “Bernabeu”. Ofertën e vetme në tavolinë, megjithatë, kishte atë shumë të pasur nga Al Nassr: 2 vite e gjysmë kontratë me 200 milionë euro në sezon, përfshirë pagën dhe sponsorët, përveçse të bëhej ambasador i kandidaturës së Arabisë Saudite për Botërorin 2030.
Negociatat do të drejtoheshin nga shoku i tij i jetës, Ricky Regufe, dhe ish-drejtori sportiv i PSG-së, Antero Henrique, për shkak të disa grindjeve dhe mosmarrëveshjeve me agjentin e vet, Jorge Mendes.
NJOFTIMI – Drejtori sportiv i klubit saudit, Salazar, konfirmoi se palët ishin afër marrëveshjes, disa ditë para nënshkrimit: “E ardhmja do të zbulohet në momentin e duhur. Po presim, nuk jam i autorizuar të flas për një marrëveshje kaq të madhe. Cristiano është një nga më të mirët në historinë e futbollit, një shembull si sportist, ka pasur gjithmonë dëshirën për të fituar. Unë si portugez e kam mbështetur gjithmonë”.
Më 30 dhjetor 2022, para fillimit të merkatos dimërore, mbërriti njoftimi zyrtar: “Ronaldo është një lojtar i ri i Al Nassr me kontratë deri në 2025. Blerja e portugezit do të jetë e rëndësishme për të ndihmuar rritjen e futbollit saudit”. Disa muaj më vonë, shumë futbollistë ndërkombëtarë do ta ndiqnin atë, duke pranuar kontrata të majme financiare dhe bërë ligën saudite shumë më konkurruese e atraktive.