Raphinha me deklaratë të fortë

Futboll

Raphinha me deklaratë të fortë

Më: 7 janar 2025 Në ora: 19:22
Raphinha

Raphinha me deklaratë të fortë: Po të isha në klub tjetër, nuk do të nënshkruaja me Barçën

Raphinha po kalon në sezonin e tij më të mirë në karrierë, më në fund duke arritur pritshmëritë e tij edhe te Barcelona.

Ylli brazilian është futbollisti kyç i skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick, derisa ky i fundit e ka bërë edhe kapiten të tretë.

Në 25 ndeshje të këtij edicioni, Raphinha ka arritur të shënojë 17 gola dhe të dhurojë 10 asistime për bashkëlojtarët e tij.

Mirëpo, braziliani duket të mos jetë tërësisht i kënaqur me gjendjen e klubit.

Këtë shqetësim të tij ai e ka shfaqur në konferencën e sontme, para ndeshjes së Barcelonës me Bilbaon në kuadër të gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës.

“Situata e Dani Olmos mund të ketë ndikim edhe te nënshkrimet e tjera. Nuk mund të gënjej. E vërteta është se, po të isha në një klub tjetër dhe do ta shihja këtë situatë, nuk do ta dija nëse është klubi i duhur për mua”.

“Megjithatë, do të prisja deri në fund, dhe nuk jam penduar për asgjë”, ka thënë Raphinha.

Barcelona po ka vështirësi të regjistrojë magjikun spanjoll, Dani Olmon dhe Pau Victorin, pasi licenca e përkohshme ka skaduar më 31 dhjetor të vitit 2024.

La Liga dhe RFEF kanë vendosur që mos t’i japin Barçës leje speciale për ta regjistruar dyshen spanjolle, me Barcelonën që tashmë e ka dërguar rastin në gjykatën sportive të Qeverisë së Spanjës.

Në rast se dhe ky tentim dështon, atëherë dy lojtarët në fjalë do të mbesin lojtarë të lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat