Federata e Futbollit në bashkëpunim me kompaninë HATKO, përgjegjëse për mirëmbajtjen e fushave të stadiumit “Arena Kombëtare” dhe “Shtëpisë së Futbollit”, zhvilloi një workshop me fokus në trajnimin e përgjegjësve të mirëmbajtjes së fushave të klubeve sportive.
Pjesëmarrës në këtë workshop të mbajtur në stadiumin “Arena Kombëtare” ishin përgjegjësit e mirëmbajtjes se fushave te Klubeve të “Abissnet Superiore”, Kategoria së Parë dhe Kategorisë së Dytë.
Të pranishëm në çeljen e ditës së parë të workshop-it ishin Zv.Presidenti i FSHF-së Arben Dervishaj dhe Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku.
Zv. Presidenti Dervishaj dha një prononcim për fshf.org ku foli për rëndësinë e nismës së ndërmarrë nga Federata në rritjen e kapaciteteve të mirëmbajtjes së terreneve sportive.
“Federata, në bashkëpunim me bashkitë dhe klubet, ka investuar shumë në fushat e lojës, të cilat kanë filluar të hasin probleme në mirëmbajtjen e tyre. Prandaj, Federata ka ndërmarrë këtë projekt që ka filluar përmes këtij seminari, i cili i kushton një rëndësi të madhe mirëmbajtjes së fushave të lojës dhe stërvitjes” – u shpreh Zv. Presidenti i FSHF-së.
“Ky seminar do t’i ndihmojë punonjësit që mirëmbajnë fushat për të marrë teknikat e përparuara që zbatohen në Turqi dhe vende të tjera të botës, dhe do t’ju japë njohuri të reja për një mirëmbajtje më të mirë të fushave.
Federata po e nis këtë projekt që të kemi fushat në gjendje sa më optimale në çdo periudhë dhe për këtë arsye, FSHF do t’i ndihmojë klubet nëpërmjet furnizimit me farë bari, pesticide dhe plehra kimikë, si dhe një pjesë të makinerive më të domosdoshme që do të kërkojë mirëmbajtja e fushës. Ne do të vendosim edhe bonus për mirëmbajtësin më të mirë i një periudhe të caktuar që të motivojmë edhe klubet dhe punonjësit që ne të kemi kushte sa më optimale për zhvillimin e ndeshjeve në mënyrë që të rrisim edhe cilësinë sportive të ndeshjeve të kampionatit”, – tha Dervishaj.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku mbajti fjalën e tij në workshop, duke theksuar rëndësinë e mirëmbajtjes së fushave përgjatë gjithë sezonit dhe shprehu se duhen vënë në zbatim trajnimet e marra nga stafi i mirëmbajtjes të klubeve.
“Një nga pikat e rëndësishme që ne kemi parë gjatë kësaj kohe është se në shumicën e klubeve nuk ka staf mjaftueshëm për mirëmbajtjen e fushave. Në shumë inspektime që kemi bërë kohët e fundit, kemi parë që fushat nuk mirëmbahen për shumë arsye.
Për klubet do të ketë sanksione të forta që do të prishin fushat. Në bashkëpunimin që do të nisim nga sot e tutje, duhet të jemi të gjithë shumë të vëmendshëm dhe ato çfarë do të mësojmë nga këto dy ditë të seminarit, t’i zbatojmë. Kjo është pika më e rëndësishme. Ky nuk është seminari i parë, por do të vazhdojnë edhe të tjerë”, – theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit.
Workshop-i për mirëmbajtjen e terreneve sportive. do të vazhdojë nesër me ditën e dytë të trajnimit të stafit të klubeve shqiptare.