Ish-trajneri i Milanit, Juventusit dhe Romës, Fabio Capello, ka dhënë mendimin e tij në “Gazzetta dello Sport” mbi pasojat e humbjes së Interit në finalen e Superkupës Italiane. Këto janë fjalët e tij:
“Interi ishte dhe mbetet më i forti. Kjo për cilësinë dhe përvojën e skuadrës, sepse ka një trajner të shkëlqyer si Simone Inzaghi dhe pas tij qëndron një klub shumë solid. E pra, pikërisht kur një skuadër e ka të qartë vlerën e vet në krahasim me të tjerat, mund të shfaqet rreziku më i madh, siç ndodhi në Rijad. Interi në finalen e Superkupës më dha përshtypjen se ra pre e sipërfaqësisë.
Duket sikur brenda pak ditësh ndryshoi fytyrë. Kundër Atalantës, Lautaro dhe shokët e tij më mahnitën, duke luajtur një ndeshje pothuajse perfekte, ndër më të mirat e sezonit, siç tha edhe vetë Inzaghi. Kundër Milanit ata zbritën në fushë pa agresivitet, pothuajse me një farë përtacie, të bindur se do të fitonin, dhe në fund e paguan shtrenjtë.
Kjo humbje do ta ndihmojë Interin të kthejë faqen me forcë dhe vendosmëri, nuk mendoj absolutisht se ekziston rreziku për ta nënvlerësuar këtë situatë, sepse ishte një derbi dhe për më tepër vlente trofeun e parë të sezonit.
Gjithashtu, besoj se Inzaghi dhe lojtarët e tij e kanë shumë të qartë se cili është armiku i vërtetë që duhet të luftojnë këtë sezon. Përqendrimi dhe fryma e kampionit ndonjëherë zhduken dhe Interi nuk arrin ta mbajë intensitetin për gjithë ndeshjen, ashtu si bënte rregullisht një vit më parë.
Nëse zikaltërit do të rifitojnë atë shpirt, të cilin e kemi parë në Champions League këtë sezon, ku ritmi dhe vëmendja ishin gjithmonë në nivelin më të lartë, atëherë rivalët në kampionat do ta kenë shumë të vështirë. Edhe në Europë, të gjithë do të duhet ta kenë frikë Interin”.