Kategoria e Parë nis këtë javë pjesën e mbetur të kampionatit.
Java e 18-të pritet të sjellë përballje emocionuese, me skuadrat që kërkojnë të mbajnë gazin në maksimum, sidomos ekipet që pretendojnë promocionin.
Ditën e premte në orën 13:30 do të luhet takimi mes Kukësit dhe Pogradecit.
Të shtunën do të zhvillohen pesë përballjet e fundit. RTSH do të transmetojë dy nga ndeshjet më interesante të javës. Vora kryesuese pret Kastriotin, takim që do të transmetohet në RTSH 2, duke filluar nga ora 13:30, dhe në po të njëjtën orë, Burreli-Besa, në RTSH Sport.
Në takimet e tjera, Flamurtari do të sfidojë Korabin me shpresën për të ruajtur vendin e dytë, Apolonia do të presë Valbonën, në një sfidë që pritet të rezervojë surpriza, me dy skuadrat që kërkojnë të dalin nga zona e ftohtë e renditjes. Ndërsa Erzeni do të tentojë fitoren e parë në kampionat, ku në Tofik Jashari do të sfidojë Lushnjen.