Re të reja mbi të ardhmen e Kvaratskhelia te Napoli.
E ardhmja e sulmuesit gjeorgjian mbetet e paqartë, pasi negociatat për rinovimin e kontratës (e vlefshme deri në vitin 2027) nuk kanë përfunduar ende. Madje, pas përshpejtimit të javëve të fundit, duket se procesi ka ngecur.
Pas këtij ngërçi të papritur të situatës fshihet PSG, e cila është rikthyer në garë për Kvara, duke synuar transferimin e tij që në janar, pasi e pati joshur fuqishëm gjatë merkatos së verës.
Luis Enrique dhe Luis Campos e vlerësojnë shumë gjeorgjianin dhe janë gati të nisin një tjetër sulm për të, pas largimit të Kolo Muani, i cili është vënë në shënjestër nga Juventusi dhe ekipe të tjera. Sidoqoftë, sipas “L’Équipe”, këtë herë PSG duhet të përballet me konkurrencën e Manchester United, që duket shumë i interesuar, pasi “Djajtë e Kuq” do të humbasin Rashford në javët e ardhshme.
Kjo ka bërë që PSG të nxitojë, duke e ditur gjithashtu se Napoli, kësaj here, mund të jetë i gatshëm ta lërë të lirë 23-vjeçarin. Neres, i cili po tregon një formë të shkëlqyer, po ofron siguri, ndaj largimi i Kvara tani mund të jetë më pak i dëmshëm nga sa mendohej. Napoli dhe PSG janë tashmë në kontakt. Kampionët e Francës, sipas “Relevo”, po përgatisin një ofertë fillestare për t’ia paraqitur presidentit De Laurentiis.
Gjithashtu, këto zëra për PSG-në janë konfirmuar nga ndërhyrja e Christian Zaccardos, i cili ndihmoi në transferimin e Kvara te Napoli në vitin 2022. Disa ditë më parë, ish-mbrojtësi ka lënë me urgjencë Riadin, ku po zhvillohej Superkupa Italiane, për t’u takuar me drejtorin sportiv të Napolit, Giovanni Manna.
Sipas “Corriere dello Sport”, tratativat mes Napolit dhe PSG-së janë më se të avancuara.
Flitet për një marrëveshje që përfshin 80 milionë euro, duke përfshirë kartonin e ish-lojtarit të Interit, Milan Skriniar, i cili nuk bën më pjesë në planet e francezëve. Për zëvendësimin e Kvara, drejtuesit e Napolit kanë në shënjestër Edon Zhegrova, sulmues i krahut nga Lille.