Kategoria e Parë rikthehet këtë të premte me ndeshjet e javës së 18-të, ku përballja mes Kukësit dhe Pogradecit do të hapë siparin, ndërsa të shtunën do të zhvillohen takimet e tjera.
Në prag të rifillimit të kampionatit, Departamenti i Arbitrimit në FSHF ka organizuar seminarin teorik dhe testet fizike për arbitrat dhe asistentët e Kategorisë së Parë.
Fillimisht, arbitrat iu nënshtruan testeve fizike, të cilat i përfunduan me sukses.
Më pas, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, u zhvillua seminari teorik, ku u trajtuan situata të ndryshme të lojës dhe interpretimet e sakta të rregulloreve.
Diskutimet mes arbitrave u fokusuan në analizimin e rasteve konkrete nga ndeshjet, identifikimin e problematikave dhe aspekteve për përmirësim.
Gjithashtu, Departamenti i Arbitrimit zhvilloi edhe një seminar të veçantë me vëzhguesit e Kategorisë së Parë dhe të Dytë, duke analizuar performancën e tyre deri më tani dhe duke diskutuar çështjet që kërkojnë përmirësim.
Pas përfundimit me sukses të këtij procesi, gjithçka është gati për rifillimin e ndeshjeve.