Randal Kolo Muani, sulmuesi i PSG-së, raportohet se është objektiv i mundshëm për Juventusin gjatë merkatos së janarit.
Sipas ‘Tuttosport’, sulmuesi francez ka shprehur dëshirën për t'u transferuar në Torino. Kjo dëshirë buron nga situata e tij e ndërlikuar te PSG-ja, ku këtë sezon ka pasur pak hapësirë dhe mungesë besimi nga trajneri Luis Enrique.
Trajneri i Juventusit, Thiago Motta, dhe drejtori sportiv, Cristiano Giuntoli, e shohin Kolo Muanin si lojtarin ideal për të mbuluar rolin që lidh mesfushën me sulmin, duke shtuar dinamizëm dhe cilësi në fazën sulmuese.
Aktualisht, Juventus po përballet me probleme në repartin ofensiv për shkak të formës së paqëndrueshme të Dusan Vlahovicit dhe mungesës së alternativave cilësore në sulm.
Kolo Muani iu bashkua kampionëve të Francës një vit e gjysmë më parë nga Eintracht Frankfurt, për një shumë prej rreth 100 milionë eurosh. Paga e tij aktuale është afërsisht 12 milionë euro në vit.
Raportohet se Juventus dhe PSG po diskutojnë një marrëveshje huazimi, me shpresën që PSG të mbulojë një pjesë të pagës për periudhën e mbetur të sezonit.