Kane flet për “Topin e Artë”

Futboll

Kane flet për “Topin e Artë”

Më: 11 janar 2025 Në ora: 14:15
Harry Kane

Harry Kane, një nga sulmuesit më të mirë të futbollit modern dhe një “makineri” e pabesueshme golash, po shpreson që periudha e tij me Bayern Munich të jetë një mundësi për ta prishur “mallkimin”. E thënë ndryshe, për të fituar trofe të rëndësishëm, diçka që i ka munguar gjatë karrierës së tij me Tottenhamin.

Në një intervistë për “France Football”, kapiteni i Anglisë tregoi se është optimist për të ardhmen: “Shpesh më bëhet kjo pyetje, siç mund ta imagjinoni. Është e vërtetë që deri tani kam fituar vetëm çmime individuale, si golashënuesi më i mirë apo lojtari më i mirë. Sidoqoftë, çdo sezon e filloj me qëllimin për të fituar trofe kolektivë, nuk kënaqem vetëm me arritjet individuale.

Jam 31 vjeç. Dikur, në këtë moshë, futbollistët mendonin për fundin e karrierës, por sot, me evolucionin e futbollit, 30 vjeç shihet si kulmi i karrierës. Besoj se versioni më i mirë i Harry Kane ende nuk ka ardhur”.

Duke folur për të ardhmen e tij dhe largimin nga futbolli, anglezi shtoi: “Jam shumë optimist. Kam besim se pjesa e dytë e karrierës sime, që sapo ka filluar, do të jetë e mbushur me trofe të rëndësishëm. Kur ‘t’i var këpucët në gozhdë’, dua që ky debat të mos ekzistojë më”.

Sa i përket ëndrrës për “Topin e Artë”, sulmuesi anglez nuk e sheh si një objektiv të paarritshëm: “Sigurisht që mendoj për të. Dhe pse të mos them që besoj në të… Kam ndjesinë se paraqitjet e mia më bëjnë një kandidat të besueshëm. Jam duke u përmirësuar vazhdimisht dhe luaj për skuadra si Bayerni apo Anglia, të cilat janë aspirante natyrale për të fituar trofe të mëdhenj.

Me performancat e mia individuale dhe një fitore kolektive si Liga e Kampionëve, pse të mos besoj në shanset e mia? E kam ëndërruar ‘Topin e Artë’ që kur isha fëmijë, veçanërisht gjatë periudhës së Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, që e kanë bërë këtë çmim edhe më të rëndësishëm. Kush e di, ndoshta më 2025 do ta bëjmë një tjetër intervistë për ta festuar…”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat