Mosha po kalon dhe ky mund të jetë shansi i fundit. Myrto Uzuni mbush 30 vjeç në 31 majin e ardhshëm, ndaj edhe është i kuptueshëm rebelimi i tij te Granada.
Mediat spanjolle shkruajnë se sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shansin që të fitojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dyfishin e asaj që merr në Spanjë, dhe kjo është arsye e fortë për t’u larguar.
Shënuesi më I mirë aktual i Granadës, shënuesi I dytë më I mirë I Ligës së Dytë, dhe realizuesi më i mirë i huaj i klubit në të gjitha kohët, sipas këtyre mediave, fiton sot 1.5 milionë euro në sezon.
Deri këtu u arrit pas rinovimit të kontratës vitin e kaluar, akord që vlen deri në 2026, ndërsa deri në 2023, ylli kuqezi fitonte vetëm 500 000 euro në vit.
Ostin, klub nga Teksasi, i jep të paktën 3 milionë euro në vit, plus shpërblime në bazë të arritjeve. Mediat në Spanjë theksojnë edhe se Uzuni ka arsye të ketë qejfmbetje ndaj drejtuesve të Granadës, pasi lojtarë që kanë dhënë më pak kontribut se ai, si Vajsman apo Rainier, marrin rrogë më të lartë.
Pritet të shihet se çfarë do të ndodhë deri në fund të janarit, ndërsa Ostin ende nuk e ka kënaqur Granadën. Besohet se oferta amerikane për klubin e ligës së dytë arrin në 10 milionë euro, ndërsa drejtuesit spanjollë pretendojnë 12 milionë. Kaq është klauzola e vendosur në kontratë, që do të ishte 25 milionë euro nëse Granada do të ishte në La Liga.