Materazzi këshillon Frattesi: Mendohu mirë

Futboll

Materazzi këshillon Frattesi: Mendohu mirë

Më: 14 janar 2025 Në ora: 12:17
Davide Frattesi

“Davide, mendoje mirë. Largimi nga zikaltërit do të ishte një gabim i madh”. Këto janë fjalët e Marco Materazzit, ish-mbrojtësit të Interit, i cili përmes “Gazzetta dello Sport” ka shprehur mendimin e tij lidhur me mundësinë që Davide Frattesi të largohet nga Interi për t’u transferuar te Roma.

“Po të isha në vend të Frattesit, nuk do të veproja me impulse.

Mund ta kisha bërë një zgjedhje të tillë edhe unë në vitin 2006, por nuk e bëra dhe ishte vendimi më i drejtë që kam marrë gjatë 10 viteve tek Interi”, – vazhdoi Materazzi.

Te zikaltrit, kohët e fundit, janë treguar të qartë në theksimin se Frattesi është pjesë kyçe e projektit. Edhe trajneri Simone Inzaghi e ka këshilluar publikisht të qëndrojë, gjatë një prononcimi në Venecia. Ish-mbrojtësi shkon më tej në sugjerimin për mesfushorin:

“Ky është një mesazh i rëndësishëm që Frattesi nuk mund ta injorojë, edhe pse dëshiron të luajë më shumë. Në një vit e gjysmë tek Interi, ai ka fituar respektin e të gjithëve: të klubit, i cili ka bërë sakrifica të mëdha ekonomike për ta blerë, të trajnerit, që e ka dashur fort, dhe të tifozëve, të cilët e shohin si një protagonist të vërtetë të fitimit të titullit kampion sezonin e kaluar.

Frattesi ka shënuar golin e tij të parë si zikaltër në derbi dhe gola të tjerë vendimtarë. Festimi i tij sezonin e kaluar, pas golit kundër Veronës, duke u ngjitur me damarët e fryrë mbi kangjella, është një imazh ikonik i fitimit të yllit të dytë. E gjitha kjo i jep atij një kredit të madh si zikaltër”.

Sidoqoftë, ai dëshiron të shkojë te Roma… Zgjedhje që nuk mbështetet nga Materazzi: “Roma është klubi ku ai është rritur dhe aty do të kishte më shumë hapësirë për të luajtur në mënyrë të vazhdueshme, por duhet parë edhe e gjithë panorama.

Tek Interi, Frattesi ka fituar tashmë dhe ka mundësinë të përsërisë sukseset, është pjesë e një skuadre që lufton për trofe në të gjitha frontet.

Në Romë, ai do të gjente një situatë krejtësisht të ndryshme, më të komplikuar nga pikëpamja e rezultateve.

Dhe ekziston rreziku i një lloj ekspozimi të tepruar, sepse në Romë nuk të falin asgjë. Kujtoni vetëm rastin e Pellegrinit, një romak dhe romanist si Frattesi. Deri te goli në derbi, ai kaloi momente shumë delikate”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat