Ekipet kombëtare të vajzave zhvillojnë ndeshje miqësore përgatitore

Futboll

Ekipet kombëtare të vajzave zhvillojnë ndeshje miqësore përgatitore

Më: 15 janar 2025 Në ora: 11:55
Pamje nga një ndeshje

Ekipet kombëtare të vajzave U-19 dhe U-15 zhvilluan ndeshje miqësore kundër skuadrave të Partizanit A dhe Egnatias, me synim testimin dhe përgatitjen e lojtareve për sfidat e ardhshme.

Ekipi kombëtar U-19, i drejtuar nga trajnerja Luçije Gjini, u përball me ekipin e parë të Partizanit për vajza.

Gjatë kësaj miqësoreje, trajnerja Gjini testoi gjendjen dhe performancën e lojtareve, duke vlerësuar potencialin e skuadrës për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2025, që do të zhvillohet në muajin shkurt.

Kombëtarja U-15, nën drejtimin e trajneres Daniela Kodra, luajti një ndeshje kundër ekipit të Egnatias U-17 për vajza.

Qëllimi kryesor i kësaj përballjeje ishte vlerësimi i përmirësimeve të ekipit dhe përgatitja për sfidat e ardhshme.

Sakaq, në fushë zbriti edhe përfaqësuesja rajonale U-14. Futbollistet u ndanë në dy skuadra dhe zhvilluan një test miqësor që shërbeu si një mundësi për trajneret Gjini dhe Kodra të identifikojnë elementet e reja që mund të integrohen në ekipet kombëtare në të ardhmen.

Këto miqësore ishin një hap i rëndësishëm për përgatitjen dhe vlerësimin e skuadrave kuqezi të moshave, duke i dhënë trajnerëve mundësinë të analizojnë potencialin dhe të planifikojnë strategji për kompeticionet ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat