Bylis, skuadra e momentit

Futboll

Bylis, skuadra e momentit

Më: 15 janar 2025 Në ora: 16:52
Bylisi

Bylis është skuadra e momentit, pasi një seri me pesë rezultate pozitive e kanë bërë të ngjitet mbi zonën e ftohtë në kampionat dhe të kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Fitorja kundër Tiranës në Kupë pasoi atë me Dinamon në Abissnet Superiore.

Me një seri prej pesë ndeshjesh pozitive në kampionat e Kupës, Bylis është skuadra e momentit në futbollin shqiptar. I dënuar të luftojë për mbijetesë në Abissnet Superiore, ka qenë megjithatë faktor përcaktues në javë të ndryshme për renditjen në katërshen e titullit, duke u marrë pikë skuadrave pretendente, përveç Egnatias.

Me katër ndeshje me pikë që nga humbja me Elbasanin, skuadra e Nevil Dedes ka arritur më në fund të ngrihet mbi zonën e ftohtë pas fitores kundër Dinamos, në javën e 20-të.

Ishte fitorja e dytë kundër bluve në Ballsh, me një barazim të marrë në Elbasan Arena midis tyre. Në gjashtë ndeshjet e fundit, ballshiotët kanë marrë 11 pikë dhe janë skuadra më e mirë pas Dinamos, që ka marrë dy pikë më tepër. E ndërsa në kampionat ambiciet janë të limituara me mbijetesën, në Kupën e Shqipërisë Bylis i transformuar mund të jetë shumë më tepër se sa thjesht një faktor që bezdis të mëdhenjtë.

Me fitoren e së martës, skuadra e Dedes është midis të mirave dhe i ka kartat në rregull për të pretenduar më tej. Është e vërtetë që Tirana, skuadra e eliminuar nga Bylis, po kalon momente krize, por gjithsesi bëhet fjalë për një sukses në transfertë, aq më tepër që në ndeshjen e kampionatit bardheblutë kishin fituar 4-0.

Në fund të fundit, fitorja e Kupës vjen pas asaj kundër Dinamos dhe më herët kundër Partizanit në kampionat, skuadra krejt ndryshe nga bardheblutë. Një detaj që i jep Bylisit të drejtën legjitime për të pretenduar në Kupë, të paktën për sa kohë që përballë nuk do të ketë Egnatian, e vetmja nga pretendentët e mëdhenj që Dede nuk i ka marrë pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat