Tomas Perez do të jetë argjentinasi i katërt në radhët e Interit.
Marrëveshja me Newell's Old Boys është në fazën përfundimtare për një shumë rreth 7 milionë euro plus 2 milionë të tjera në formë bonusesh, të lidhura kryesisht me paraqitjet që lojtari do të grumbullojë në të ardhmen me fanellën zikaltër.
Mesfushor qendror i lindur në vitin 2005, i ri, premtues, por tashmë edhe i besueshëm: Perez i përmbush të gjitha kriteret që drejtuesit e Interit po kërkonin për të bërë një investim në mesfushë, ku në vitet e ardhshme (por edhe tani) kanë nevojë të ndërhyjnë.
Emri i mesfushorit të Newell's Old Boys ka dalë në krye të listës së Marotta-s dhe Ausilio-s pas ekspeditës vjetore të Baccini-t në Amerikën e Jugut.
Kjo ekspeditë tashmë ka dhënë frytet e saj: objektivi Perez është arritur, ndërsa më e komplikuar mbetet tratativa për Mateo Silvetti, një sulmues krahu i lindur në vitin 2006.
Në ditët e ardhshme, Perez pritet të mbërrijë në Milano për të kryer vizitat mjekësore dhe për t'u bërë zyrtarisht një lojtar i ri i Interit.
Për momentin, duket se ideja është të investohet tek ai jo për përdorim të menjëhershëm, por për ekipin e dytë – Under 23 – që Interi do ta strukturojë vitin e ardhshëm.
Dilema e vetme lidhet me kohën: a do të huazohet menjëherë apo do të bashkohet me ekipin zikaltër drejtpërdrejt verën e ardhshme? Ende është herët për ta thënë, por një gjë është e sigurt: Interi ka identifikuar mesfushorin e së ardhmes.
Një investim sipas stilit të Oaktree: profil i ri, premtues dhe me cilësi teknike të lartë.
Dhe nëse Marotta dhe bashkëpunëtorët e tij janë bindur të shpenzojnë 7 milionë euro për një 19-vjeçar, me siguri ia vlen të besosh..