Bruno Fernandes siguron

Futboll

Bruno Fernandes siguron

Më: 16 janar 2025 Në ora: 13:21
Bruno Fernandes e Cristiano Ronaldo

Bruno Fernandes nuk ka asnjë dyshim: Cristiano Ronaldo do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror 2026.

Në kompeticionin madhor, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” do të jetë 41 vjeç, por bashkëlojtari i tij i kombëtares portugeze, si dhe ish-kolegu te Manchester United, është i bindur se ekziston vetëm një mënyrë që një legjendë e futbolli si CR7 mund të vendosë të tërhiqet: duke ngritur trofeun që në vitin 2022 u ngrit nga Messi me Argjentinën.

“Jo vetëm që besoj, jam pothuajse i sigurt që ai do të jetë atje, – siguroi Bruno Fernandes. – Do të ishte e mrekullueshme që Cristiano Ronaldo, duke marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, të realizonte ëndrrën për ta fituar Botërorin me kombëtaren. Kjo vlen jo vetëm për atë, por edhe për ne portugezët, që duam kaq shumë t’ia ofrojmë këtë dhuratë vendit tonë.

Si referencë absolute e futbollit tonë, kombëtarja do të ishte ndoshta mënyra më e mirë për ta përfunduar karrierën. Edhe nëse do ta fitonte Kupën e Botës, nuk e di nëse do të dëshironte të ndalonte apo të vazhdonte, sepse gjithmonë e ka dëshirën për t’u përmirësuar. Kjo shihet te Cristiano, që çdo vit kërkon të bëjë më shumë, të përmirësohet. Për ata që ende dyshojnë, gjithmonë mund të bëjë më shumë”.

Përtej kësaj, Bruno Fernandes shpreson që ta shohë popullin portugez të bashkuar, 10 vite pas fitores së Kampionatit Europian 2016 në Francë: “Për ne, e rëndësishme është të kualifikohemi në Kupën e Botës 2026 dhe ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë, për të triumfuar më pas. Kjo është ëndrra jonë.

E di që për të gjithë fansat e Cristiano Ronaldos, ashtu si edhe për vendin tonë, do të ishte diçka e jashtëzakonshme për ta përmbyllur rrugëtimin e tij me kombëtaren, duke pasur dy trofetë më të rëndësishëm. Portugalia nuk ka fituar kurrë një Kupë të Botës, ashtu si nuk kishte fituar kurrë një Europian, dhe e bëri atë me Ronaldon. Tani, fitorja e Botërorit nuk do të ishte vetëm një ose dy ditë festë, por një javë e tërë festimesh në Portugali”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat