Trajneri i korçarëve, Ernet Gjoka, ka komentuar kualifikimin e skuadrës së tij mes 8 më të mirave të Kupës së Shqipërisë.
Ai ka pohuar se kushtet e terrenit ishin skandaloze, ndaj dhe i falënderon lojtarët për atë që dhanë.“Jam i kënaqur me rezultatin, por në këto kushte që kemi luajtur ishte skandaloze.
Duhet t’i falënderoj shumë futbollistët e mi që kanë dhënë maksimumin në një terren të vështirë, ku risku ishte shumë i madh për të gjithë.
Kur them risk, e kam fjalën për dëmtime dhe për gjithçka që ka të bëjë me fizikun e një sportisti.
Gjithsesi, nuk jemi ne që i caktojmë këto gjëra, kjo është diçka tjetër. Jemi të kënaqur që kemi kaluar këtë fazë të Kupës dhe kjo përmbush pritshmëritë tona, pasi edhe Kupa është objektiv.
Tashmë do të përqendrohemi te ndeshja e radhës që është ajo në kampionat ndaj Vllaznisë. A do të luhet? Me atë që pashë sot (dje), që në këtë terren nuk ishte normale të luhej, atëherë çdo gjë mund të ndodhë”, theksoi për “Panorama Sport” trajneri i Skënderbeut, Gjoka.