Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i ka shprehur ngushëllime familjes, për ndarjen nga jeta të Sabah Bizit.
Duka, në një postim në rrjetet sociale, shkruan se futbolli shqiptar humbi një legjendë të vërtetë, por trashëgimia e tij do të mbetet përjetë frymëzim për brezat e ardhshëm.
"Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Sabah Bizi, një emër i madh që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit tonë.
Si një ndër ikonat e Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, ai debutoi në futbollin shqiptar në moshë të re dhe u bë simbol i talentit dhe përkushtimit. Përballja e tij me Franz Beckenbauer në ndeshjen historike kundër Gjermanisë në vitin 1967, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç, është dëshmi e madhështisë së tij në fushën e blertë.
Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, Sabah Bizi fitoi tituj kampionë dhe kupa, duke i dhënë futbollit shqiptar momente krenarie dhe emocionuese. Edhe pas lënies së futbollit aktiv, ai i qëndroi pranë sportit të zemrës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e brezave të rinj si trajner dhe drejtues.
Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit të futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bizi, të afërmve dhe miqve të tij. Futbolli shqiptar humbi një legjendë të vërtetë, por trashëgimia e tij do të mbetet përjetë frymëzim për brezat e ardhshëm", ka shkruar Duka.