Ilir Meta: Futbollisti më i gjithanshëm në historinë tonë

Futboll

Ilir Meta: Futbollisti më i gjithanshëm në historinë tonë

Më: 16 janar 2025 Në ora: 19:36
Sabah Bizi dhe Ilir Meta

Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Partizanit, Sabah Bizi u nda nga jeta ditën e sotme. Ngushëllimet kanë qenë të shumta për legjendën e futbollit, ku nuk kanë munguar dhe mesazhet nga politika.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka postuar në rrjetet e tij sociale një ngushëllim për shkodranin Bizi. Meta e konsideron “Nderin e Kombit”, një talent të papërsëritshëm në historinë e futbollit tonë.

Legjenda shkodrane për figurën politike është një emër i madh i fushës së blertë i përmasava përtej vendit tonë.

"Thellësisht i trishtuar nga lajmi, që kurrë nuk do të doja të merrja, për ndarjen nga jeta të Legjendës së “Vllaznisë”, “Partizanit” dhe të Ekipit Kombëtar, Nderit të Kombit, Sabah Bizi!

Një talent i papërsëritshëm në historinë e futbollit tonë dhe emër i madh i fushës së blertë i përmasave europiane, personalitet i dashur, i respektuar dhe burim frymëzimi për të gjithë brezat e sportistëve të rinj, Sabah Bizi do të nderohet gjithmonë për rezultatet e larta kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe për trashëgiminë e vyer sportive, që aq shumë e rritën krenarinë dhe imazhin tonë kombëtar.

Në memorien kombëtare sportive ai do të kujtohet si futbollisti më i gjithanshëm në historinë e futbollit tonë, mesfushori që solli tiparet moderne të këtij roli duke qenë njeriu që udhëhiqte gjithë skuadrën me teknikën racionale, të milimetruar, me kilometrazh lëvizjeje si askush tjetër, i dalluar për atë pasim të pagabueshëm, organizator e bllokues i njëkohshëm dhe golashënues i saktë.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e mrekullueshme Bizi, për të gjithë bashkëpunëtorët, komunitetin e dashur sportiv dhe në veçanti për qytetarët e Shkodrës së tij së dashur.

I paharruar kujtimi i Nderit të Kombit, Sabah Bizi!

Të prehet në paqen e merituar!", ka shkruar Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat