Konseisao pas humbjes së parë me Milanin: Këto gjëra i kam parë edhe para se të vija këtu

Futboll

Konseisao pas humbjes së parë me Milanin: Këto gjëra i kam parë edhe para se të vija këtu

Më: 18 janar 2025 Në ora: 21:33
Serxho Konseisao

Serxho Konseisao ka qenë dukshëm i pakënaqur pas humbjes së parë të tij si trajner i Milanit. Tekniku portugez, po shikon pak nga pak problemet që kanë kuqezinjtë dhe ka insistuar se e para është mungesa e dëshirës te lojtarët.

“Në pjesën e parë ishte një ndeshje e ekuilibruar, në fakt kishim më shumë raste. Në pjesën e dytë, Juve kishte më shumë dëshirë për të fituar, më shumë uri, madje mund të kishim pësuar një tjetër gol. Këto janë gjëra që unë nuk i kuptoj dhe jam unë përgjegjësi. Hapi i parë për të fituar është ta dëshirosh atë.

Nuk ka mungesë benzine, çfarë benzine? Është janar! Puna është se duhet të kemi një frigorifer bosh në shtëpi që të jemi më të uritur… Kështu e mendoj unë. Në karrierën time kam pasur skuadra të vogla që teknikisht nuk ishin aq të shkëlqyera, por kishin uri dhe dëshirë të jashtëzakonshme. Te Milani duhet të jetë kështu dhe më tepër.

Ajo që shoh nuk është e re, e kam parë edhe para se të mbërrija. Unë jam ai që duhet të ndryshoj qëndrimin dhe mentalitetin e lojtarëve. Nuk isha i aftë në pushimin e ndeshjes, marr përgjegjësinë. Nëse gabon para portës, mund të ndodhë, por në këtë rast është një histori tjetër.

A duhet që Teo dhe Leao ta udhëheqin ekipin në kohë të vështira? Nuk mund t’i vësh gjithë peshën mbi ta, nuk është e drejtë, ka edhe të tjerë dhe nuk mund të fshihen. Askush nuk duhet ta bëjë këtë. Ne duhet ta shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të kuptojmë se si mund të ndryshojmë.

Nuk është çështje teknike apo fizike. Baza është të kesh dëshirën për të fituar çdo duel sikur të ishte vendimtari i ndeshjes. Dhe kjo është ajo që na mungon. Unë kam përgjegjësinë për ta ndryshuar këtë situatë”, tha Konseisao pas humbjes së parë me skuadrën e Milanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat