Lionel Messi e ka nisur vitin 2025 si protagonist me fanellën e Inter Majemi, pas pushimeve të gjata dimërore si rrallëherë në karrierën e tij.
Në miqësoren e parë para fillimit të sezonit, Inter Miami ka fituar me penallti përballë meksikanëve të Klub Amerika, ku “Pleshti” la shenjë me një gol, por edhe me një festim tallës ndaj kundërshtarëve.
Messi ishte ai i cili shënoi golin e barazimit të përkohshëm 1-1 mes skuadrave në pjesën e parë, teksa çoi në rrjetë me kokë një harkim perfekt të Luis Suarez.
Më pas, ai u kthye nga tribunat ku ishin mbështetësit e shumtë meksikanë, të cilët e kishin vërshëllyer sa herë që kishte topin në këmbë. Ai i bëri shenjë me dorë numrin tre, ndërsa tregoi tribunat më pas si për të thënë çfarë kishin ata, e më pas u largua duke qeshur
Një mesazh i qartë për Kupën e Botës, të cilën Argjentina e ka fituar tre herë trofeun, ndërsa Meksika kuptohet që nuk i ka shkuar asnjëherë afër atij.
Një thumbim që ka bërë xhiron e rrjetit e që padyshim do të bëjë më të nxehtë këtë sezon në MLS duke pasur parasysh numrin e madh të mbështetësve meksikanë që ndjekin ndeshjet e kampionatit amerikan.