Ish-gjyqtari ndërkombëtar Daniele Orsato ka zbuluar një detaj interesant nga karriera e tij lidhur me një lojtar të Napolit, të cilin e konsideronte veçanërisht të vështirë për t’u menaxhuar në fushë.
Në një intervistë për “RadioCRC”, Orsato, që tani mban rolin e Komisionerit të Zhvillimit të Talenteve Arbitrale në AIA, foli për përvojën e tij dhe përkushtimin për të ndihmuar gjyqtarët e rinj të rriten dhe përmirësohen në aspektin teknik e profesional.
Gjatë intervistës, Orsato diskutoi edhe për rolin e VAR-it dhe perceptimin e gabimeve të gjyqtarëve: “Nëse një gjyqtar gabon, kjo ndodh sepse është njeri dhe jo për shkak të ndonjë trysnie psikologjike. VAR-i është një bekim, sepse të lejon të korrigjosh gabimet në kohë reale”.
Megjithatë, ai pranoi: “Më vinte inat kur më duhej të përdorja VAR-in, sepse do të thoshte se kisha gabuar në pozicionimin tim apo kisha humbur diçka”.
Kur u pyet për lojtarin, që e kishte vështirë ta arbitronte, Orsato dha një përgjigje të papritur: “Mbaj mend Scarlaton, kur luante në Serie C. Unë isha i ri dhe ta arbitroja atë nuk ishte e lehtë”.
Kjo përgjigje mund të habisë, duke marrë parasysh yjet që kanë veshur fanellën e Napolit gjatë viteve të karrierës së tij si gjyqtar në Serie A. Përvoja e Orsatos tregon rëndësinë e menaxhimit të personalitetit dhe karakterit të lojtarëve në fushë, përveç zbatimit të rregullave të lojës.