Luis Enrique nuk lë askënd të pakënaqur; për mirë, ose për keq. Në rastin e Rivaldos, të gjitha janë fjalë miradije për atë që ka qenë kolegu i tij në qytetin katalanas nga viti 1997 deri më 2002, periudha kur futbollisti brazilian mbronte ngjyrat blaugrana. “Lucho” kishte mbërritur atje një vit më parë dhe do të largohej dy sezone më vonë se braziliani.
Asturiani e mbylli karrierën e tij si lojtar në maj të vitit 2004 dhe më 2008 nisi rrugëtimin si trajner. Celta Vigo ishte stacioni i tij i fundit para se të kalonte në ekipin e parë të Barçës si trajner, ku zëvendësoi Tata Martinon në këtë pozicion. Atje fitoi dy herë La Liga-n, tri herë Kupën e Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës.
Pastaj erdhi aventura e tij si trajner i kombëtares spanjolle, që ishte e ndarë në dy pjesë. Ai arriti deri në gjysmëfinale të “Euro 2021” dhe eliminimi i parakohshëm në Kupën e Botës së Katarit i dha fund trajektories me kombëtaren iberike. Pas disa muajsh pushimi, ai pranoi sfidën e PSG-së, ende me Kylian Mbappé në skuadër, edhe pse ka mundur ta shijojë vetëm një vit sulmuesin parizien.
Gjatë periudhës së tij në fushën e lojës, ish-lojtari i Real Sporting ishte një figurë luftarake, pasionante dhe gjithashtu shumë e talentuar. Ka qenë kaq i jashtëzakonshëm, sa shënoi 123 gola në 8 vitet e tij me Barçën.
“Ishte një lojtar luftarak. Një tip që shënonte gola, që luftonte gjatë gjithë kohës. Luajti gjithashtu te Real Madridi, pastaj kaloi te Barcelona. Isha shok ekipi me të, një njeri i shkëlqyer”, – theksoi Rivaldo