Fiorentina nuk arrin të ringrihet, del me një barazim zhgënjyes 1-1 në shtëpi kundër Torinos, e cila luajti me 10 lojtarë për më shumë se një orë. Ndeshja, e konsideruar si “lunch match”, e pa ekipin vendas që shpenzoi mundësinë e artë për t’u rikthyer te fitoret, duke shtuar frustrimin e tifozëve, që kulmoi me fishkëllima të shumta pas përfundimit të lojës.
Fillimi i ndeshjes ishte në favor të Fiorentinës, e cila mbajti kontrollin e topit dhe u mundua të impononte lojën e saj.
Megjithatë, goditjet në portë ishin të pakta. Ngjarja kyçe e pjesës së parë ishte dalja me karton të kuq e Dembele në minutën e 30-të, pas një ndërhyrjeje të pakontrolluar ndaj Folorunsho.
Duke shfrytëzuar superioritetin numerik, Fiorentina arriti të kalonte në avantazh në minutën e 39-të me Moise Kean, i cili shënoi me kokë. Para pushimit, Torino e kishte mundësinë të barazonte me një sulm të Karamoh, ndërsa Kean nuk e shfrytëzoi mundësinë për të dyfishuar avantazhin.
Edhe me një lojtar më pak, Torino ruajti ekuilibrin dhe shpirtin luftarak. Fiorentina, pavarësisht se qëndroi kryesisht në gjysmën e fushës së kundërshtarit, nuk mundi të shfrytëzonte mundësitë për ta mbyllur ndeshjen. Torino e gjeti barazimin në minutën e 64-t me Gineitis, që përfitoi nga një gabim mbrojtës i Comuzzo dhe Adli.
Treneri Palladino u kritikua ashpër nga tifozët mbi vendimin e tij për të zëvendësuar Gudmundsson me Beltran, një lëvizje që u perceptua si mundësi e dobët për të kërkuar fitoren.
Pas përfundimit të ndeshjes, publiku në “Franchi” shprehu zhgënjimin e tij me fishkëllima të shumta, shenjë e qartë e frustrimit për një ekip që ka vështirësi të shfaqë cilësi dhe marrë rezultate pozitive. Ky barazim e mban Fiorentinën në një krizë rendimenti, që mund t’i dëmtojë seriozisht ambiciet e saj për këtë sezon.
Nevojitet kthesa urgjente për të rikthyer besimin dhe qetësinë te tifozët e Fiorentinës, por koha po kalon dhe përgjigjet po vonojnë.