Rritet presioni

Futboll

Rritet presioni

Më: 19 janar 2025 Në ora: 15:21
Vinicius

Arabia Saudite këmbëngul dhe nuk e fsheh. Vetë Omar Mugharbel, CEO i “Saudi Pro League”, ka pranuar për gazetën “MARCA” se transferimi i Vinicius, lojtar i Real Madridit, i cili mund të bashkohet me një kampionat ku tashmë luajnë Cristiano Ronaldo dhe Benzema, nuk është një ëndërr, por realitet i mundshëm.

Për këtë qëllim po punohet prej kohësh, përpjekjet nuk janë ndalur as në muajt e fundit. Nga ana tjetër, Vinicius konsideron vetëm qëndrimin te Real Madridi, të cilin e cilëson klubin më të mirë në botë. Braziliani dëshiron të vazhdojë të konkurrojë për titujt më të rëndësishëm kolektivë dhe individualë. Fjalën e fundit e ka Vinicius, ndërsa Real Madridi mbetet i qetë, duke pritur momentin për të marrë një vendim përfundimtar.

Është befasuese të dëgjohen këto deklarata, në një botë ku zakonisht situata të tilla mbahen të fshehta. Me këto fjalë, Mugharbel konfirmoi atë që është raportuar muajt e fundit për të ardhmen e lojtarit të Real Madridi.

Pranimi hapur i këtij interesi krijon një skenar të ndërlikuar, sidomos me muaj të gjatë konkurrimi përpara. Thuhet se klubi që dëshiron të ketë Vinicius është Al Hilal, kampioni aktual i Arabisë Saudite, që tashmë përballet me vështirësitë ekonomike dhe sportive të mbajtjes së Neymar.

E ardhmja e Vinicius, veçanërisht për çmimin e lartë të tij, mbetet një çështje e hapur. Ai ka ende dy vite në kontratën aktuale dhe klauzolë lirimi prej një miliard eurosh, çka shërben si mburojë për drejtuesit e Real Madrid. Megjithatë, interesimi i Arabisë Saudite nuk është zbehur.

Pas spekulimeve gjatë verës së kaluar, deklaratat e CEO-së së “Saudi Pro League” i kanë ndryshuar pritshmëritë.

Arabia Saudite është e gatshme të bëjë oferta të mëdha për lojtarët e nivelit të lartë. Kujtoni që Cristiano Ronaldo ka marrë 200 milionë euro dhe një pjesë të pronësisë së Al Nassr. E njëjta gjë mund të ndodhë me Vinicius, ndaj Real Madridi është i hapur për t’i dëgjuar dëshirat e lojtarit brazilian. Klubi madrilen duhet të kuptojë nëse Vinicius dëshiron të vazhdojë të shkëlqejë në “Santiago Bernabeu” apo të pranojë ofertën e jashtëzakonshme financiare të Arabisë Saudite.

Vinicius Júnior nuk mund të luajë dot kundër Las Palmas dhe Valladolid, për shkak të pezullimit. Performanca e tij e fundit, sidomos ndaj Barcelonës në Superkupë dhe ndaj Celta-s, ka ngjallur diskutime, megjithëse ai vazhdon të mbetet një lojtar protagonist, qoftë kur luan mirë, qoftë kur nuk është në formë optimale.

E ardhmja e Vinicius mbetet e paqartë, duke përfshirë rinovimin e kontratës ose transferimin në Arabinë Saudite, një vend dhe ligë që duken gati ta “mbulojë me ar” brazilianin. Për momentin, askush nuk e ka zgjidhur këtë enigmë, duke e bërë situatën edhe më intriguese.

Zhurmat rreth Vinicius nuk e shqetësojnë Real Madridin. Klubi e mbështet atë dhe pret që të kthehet në formën që e karakterizon: një sulmues i guximshëm dhe këmbëngulës, cilësi që nuk u panë në ndeshjet e fundit ndaj Barcelonës dhe Celta-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat