Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez festoi ardhjen e kampionatit të futbollit amerikan “NFL” në Madrid dhe konkretisht në “Santiago Bernabéu”.
Mjami Dolfins janë skuadra e zgjedhur për të luajtur si ekip vendas në ndeshjen e “NFL”-së në “Bernabeu” dhe presidenti i Realit detajoi se çfarë do të thotë kjo për klubin, për stadiumin dhe për qytetin.
“Është një nder i madh që një ndeshje e prestigjit dhe madhështisë së NFL ka zgjedhur shtëpinë tonë. Dua t’ju them se është një krenari e jashtëzakonshme që Madridi dhe ‘Bernabeu’ mund t’i transmetojnë botës atë që përfaqëson një nga sportet më të ndjekura në Shtetet e Bashkuara”, komentoi Florentino Perez në prezantimin e asaj që do të jetë një ndeshje historike.
Kjo është hera e parë që një ndeshje e ligës amerikane të futbollit do të luhet në Spanjë.
“Ky është një nga tempujt më të mëdhenj të futbollit. Është një ikonë për adhuruesit e sportit. Të gjithë duan të shohin Bernabeu. Është stadiumi i një institucioni sportiv të admiruar në mbarë botën”, shpjegoi më tej Perez.