Tifozët e United kanë filluar të frikësohen se do të bien nga liga

Futboll

Tifozët e United kanë filluar të frikësohen se do të bien nga liga

Më: 19 janar 2025 Në ora: 21:41
Ruben Amorim

Manchester United përjetoi një tjetër humbje të rëndë në Old Trafford, këtë herë 3:1 ndaj Brighton, duke çuar në një seri prej katër humbjesh në gjashtë ndeshje të fundit të Premier League në shtëpi.

Golat e Yankuba Minteh, Kaoru Mitoma dhe Georginio Rutter vulosën fatin e ndeshjes, ndërsa penalltia e Bruno Fernandes vetëm barazoi përkohësisht rezultatin në pjesën e parë.

Pas ndeshjes, trajneri i United, Ruben Amorim, dha komente që ndezën shqetësime të reja mes tifozëve.

“Kjo është e qartë. Me mua, kjo është e qartë. Sepse unë nuk do të ndryshoj mënyrën si e shoh lojën.

Jam shumë i qartë për këtë. Lojtarët do të vuajnë, më vjen shumë keq, tifozët do të vuajnë. Kam një mënyrë për t’i bërë gjërat. E di që do të sjellë rezultate. Por ne duhet të përballojmë këto momente”, tha Amorim në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Komentet e tij, ndonëse disa i vlerësuan si tregues i një qëndrueshmërie taktike, alarmuan një pjesë të madhe të tifozëve, të cilët e shohin këtë qasje si të rrezikshme për situatën aktuale të ekipit.

Reagimi i tifozëve

Pas humbjes dhe deklaratave të Amorim, disa tifozë shprehën frikën e tyre për një rënie të mundshme nga Premier League.

“Ky njeri do të na çojë drejt rënies, apo jo? Si mund të ketë një trajner i Manchester United vetëm një sistem loje?”, shkroi një tifoz.

“Rekordi në shtëpi është i tmerrshëm. Kemi qenë shumë me fat që fituam ndaj Southampton, përndryshe mund të ishim në zonën e rënies”, shtoi një tetër.

“Realiteti është se United është i 13-ti në tabelë dhe po shkon drejt rënies nga liga. Ne krijojmë shumë pak dhe pësojmë gola të pafalshëm”, komentoi një tjetër.

Gjendja aktuale në tabelë

Pavarësisht shqetësimeve, United është 10 pikë larg zonës së rënies, me 26 pikë deri tani. Në sezonin e kaluar, 26 pikë do të kishin qenë të mjaftueshme për të siguruar mbijetesën përmes diferencës së golave. Me 16 ndeshje të mbetura, ekipi ka kohë të mjaftueshme për të shmangur një krizë më të thellë, por forma e tyre aktuale lë shumë për të dëshiruar.

A do të arrijë Amorim të përmbysë situatën apo vuajtjet e tij taktike do të thellojnë krizën?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat