“Kjo është skuadra më e dobët në historinë e klubit”, do të ishte kjo fjalia e shprehur qartë në përfundim të sfidës nga Ruben Amorim, tekniku i United që nuk mundi dot ta fshehte dëshpërimin, pas humbjes së radhës së skuadrës së tij, kësaj radhe ndaj Brighton, me shifrat 1-3 në “Old Trafford”. Fitorja të enjten e shkuar me përmbysje ndaj Southampton, ishte vetëm një iluzion se kjo skuadër është shëruar, pasi të dielën, “Djajtë e Kuq”, pësuan një tjetër disfatë të rëndë, që i zbret shumë poshtë në renditje.
Pjesa e parë ishte më e ekuilibruara, kur fillimisht realizuan miqtë me anë të Minteh që në minutën e 5, por vendasit u përgjigjën falë golit të Bruno Fernadez me 11 metërsh në mesin e fraksionit të parë. Në pjesën e dytë të besuarit e Ruben Amorim u treguan të pafuqishëm, teksa fillimisht ekipit të Brighton i’u anulua një gol për faull nga VAR, por më pas goditën dy herë United, meMitoman dhe Rutter. Me këtë sukses Brighton ngjitet në vendin e 9 me 34 pikë, duke lënë prapa United, e cila ndodhet në vendin e 13 me 26 pikë.
Sigurisht bëri xhiron e mediave në ishull, deklarata e fuqishme pas sfidës e teknikut të Manchester United, Ruben Amorim, i cili gjithsesi shpreson se rrota e fatit do të ndryshojë për ekipin e tij:
“Jam i zhgënjyer, e di fare mirë se çfarë jeni duke menduar ju, por mbi të gjithë tifozët e United. Kemi fituar vetëm 2 nga 10 ndeshje në Premier. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm për këtë gjë. Nëse Ju doni tituj për gazetat tuaja, atëherë ja u jap unë. Kjo është skuadra më e keqe në historinë e klubit. Më vjen vërtet keq. Por duhet të dalim nga kjo situatë dhe për të dalë, duhet të jemi të gjithë bashkë. Duhet të mbijetojmë nga kjo situatë ku ndodhemi e të shohim përpara.”
Deklarata të fuqishme këto të portugezit, që pushtuan sigurisht edhe faqet e para të tabloidëve prestigjioz britanik.