Trajneri i Juventusit, Thiago Motta, ka thënë se skuadra e tij ka marrë energji nga fitorja ndaj Milan në Serie A dhe tash do të angazhohet maksimalisht për të fituar ndaj Club Brugge.
Dy skuadrat ndeshen të martën në Champions League.
"Jam i lumtur që kam të gjithë lojtarët në dispozicion, sepse kjo mund të ndihmojë ekipin jo vetëm për të nisur ndeshjen, por edhe gjatë saj. Kjo mund të na japë vazhdimësi", ka thënëa Motta.
Tekniku italian ka theksuar se ndihet i lumtur që pas javë të tëra tash e ka skuadrën pothuajse të plotë, përveç mbrojtësve Gleison Bremer dhe Juan Cabal, të cilët janë jashtë për shkak të lëndimeve sezonale.
Motta po ashtu ka vënë në dukje se ka parë përparime të dukshme gjatë sezonit, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga transformimi i skuadrës po edhe nga lëndimet.
"Shoh rritje, jo vetëm në ndeshjet e fundit", ka thënë ai. "Shoh përparime që nga fillimi i sezonit, pavarësisht lëndimeve, transformimit të skuadrës dhe faktit që kemi një ekip të ri. Fitorja ndaj Milan na dha më shumë entuziazëm dhe energji për t'u përgatitur për një ndeshje të komplikuar si ajo e nesërmja. Duhet të japim maksimumin për të marrë fitoren", ka thënë ai.