Pas më shumë se një muaj, skuadra e Chelsea rikthehet te fitorja në Premier League.
Londinezët mundën 3-1 Wolves, duke u rikthyer në katërshen e Champions.
Një fitore e rëndësishme për skuadrën e trajnerit Enzo Maresca, që ka rigjetur buzëqeshjen. “Në 40 minutat e para ishim të shkëlqyer. Paraqitja ishte shumë e mirë dhe e dominuam plotësisht lojën, rezultatin, rastet”, tha trajneri italian.
“Në pesë minutat e fundit ndodhi ajo që po përsëritet shumë herë në katër ose pesë ndeshjet e fundit. Ne humbëm pak besim, pësuam një gol dhe ulëm përqendrimin”, tha Maresca.
“Gjithsesi, në pjesën e dytë dhe pas dy golave të tjerë loja ishte në kontroll. Mendoj se të gjithë bënë një lojë fantastike. Në përgjithësi, mendoj se performanca ishte e mirë”, shtoi Maresca.
Në fund, trajneri i Chelsea shtoi: “Jemi të lumtur që fituam ndeshjen, por nga sot do të fillojmë të mendojmë për Manchester City, që do të jetë një ndeshje e vështirë. Rëndësi ka që më në fund shënuam në rastet e krijuara”.