Ja si funksionon shorti i Champions League

Futboll

Ja si funksionon shorti i Champions League

Më: 23 janar 2025 Në ora: 12:51
Foto ilustrim

Një xhiro e vetme mbetet ende për t’u luajtur në fazën e parë të formatit të ri të Champions League.

Të mërkurën e 29 janarit do të luhen të gjitha ndeshjet e fundit të grupit, njëkohësisht me start orën 21:00. Aktualisht, renditja dhe kombinimet janë këto (veçanërisht për Interin, Milanin, Atalantën dhe Juven), për të siguruar aksesin direkt në 1/8 finale, raund që do të zhvillohet në mars.

Megjithatë, përpara kësaj do të zhvillohen “play off”-et; 8 sfida mes skuadrave të renditura nga vendi i 9-të deri në të 24-tin. Fituesit e këtyre ndeshjeve (më 11 dhe 12 shkurt luhen ndeshjet e para dhe më 18 dhe 19 shkurt të kthimit) do të përballen me 8 skuadrat e renditura të parat në fazën e grupit, që kualifikohen direkt.

E gjitha kjo, sipas një sistemi të ri, do të zhvillohet në një format “tenistik”, që do të përcaktojë rrugëtimin e secilës prej 16 skuadrave deri në finalen e Mynihut më 31 maj. Shorti i “play off”-eve do të mbahet të premten, më 31 janar, në Nyon, selia e UEFA-s. Ky short do të organizohet në çifte. Dy skuadrat e para nën zonën e kualifikimit direkt (e 9-ta dhe e 10-ta në renditje) do të përballen me skuadrat e dy vendeve të fundit (e 23-ta dhe e 24-ta).

Shorti do të përcaktojë nëse e 9-ta do të ndeshet me të 23-tën apo të 24-tën dhe si rrjedhojë, kush do të jetë kundërshtari i 10-tës. E njëjta gjë do të ndodhë për të gjitha çiftimet e tjera: e 11-ta dhe e 12-ta kundër të 21-tës ose të 22-tës, e 13-ta dhe e 14-ta kundër të 19-tës ose të 20-tës, e 15-ta dhe e 16-ta kundër të 17-tës ose të 18-tës. Skuadrat nga vendi i 9-të deri në të 16-tin do ta luajnë ndeshjen e kthimit në shtëpi.

Më 21 shkurt, gjithashtu në Nyon, do të hidhet shorti për 1/8 finale të Champions League (ndeshjet e para më 4 dhe 5 mars, kthimet më 11 dhe 12 mars). Parimi mbetet i njëjtë: dy skuadrat e para në renditjen e fazës së grupeve (p.sh., Liverpool-i dhe Barcelona aktualisht) do të përballen me fitueset e “pla yoff”-eve mes skuadrave të renditura 15-ta/16-ta dhe 17-ta/18-ta.

Vijon kështu: e 3-ta dhe e 4-ta kundër fitueseve të “play off”-eve mes skuadrave të renditura 13-ta/14-ta dhe 19-ta/20-ta; e 5-ta dhe e 6-ta kundër fitueseve të “play off”-eve mes skuadrave të renditura 11-ta/12-ta dhe 21-ta/22-ta; e 7-ta dhe e 8-ta kundër fitueseve të “play off”-eve mes skuadrave të renditura 9-ta/10-ta dhe 23-ta/24-ta.

Pas kësaj, kalendari do të ndjekë formatin “tenistik”, ku dy skuadrat e para të renditura në fazën e grupeve vendosen në dy skajet e tabelës, me mundësinë për t’u përballur vetëm në finale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat