Khedira zbulon 5 mesfushorët më të mirë të historisë

Futboll

Khedira zbulon 5 mesfushorët më të mirë të historisë

Më: 23 janar 2025 Në ora: 13:45
Sami Khedira

Ish-futbollisti i Real Madridit, Sami Khedira, zbuloi në një intervistë për BBC pesë mesfushorët më të mirë të historisë, sipas tij. Në listën e tij gjendet një idhull personal, disa rivalë dhe një lojtar që ka mundur ta shohë vetëm në video. Ajo që bie në sy është se tre prej tyre kanë luajtur për Barcelonën.

Në vendin e pestë, Khedira ka vendosur Ronaldinhon. “Ai ishte lojtari i parë i Barcelonës që mori duartrokitje në ‘Bernabéu'”, – kujton gjermani.

Në vendin e katërt është një prej bashkëkombësve të tij, Franz Beckenbauer. “Nuk e kam parë kurrë të luajë, vetëm në video, por edhe pasi u tërhoq së luajturi, ai vazhdoi ta ndryshonte futbollin”, -shpjegoi Khedira.

Spanjolli Andrés Iniesta mban vendin e tretë dhe merr lëvdata të mëdha nga Khedira: “Kam luajtur shumë herë kundër tij dhe nuk e humbiste kurrë topin. Pasimet e tij, driblimet e tij… Nuk kam parë asgjë të ngjashme në fushë, as para dhe as pas tij”.

Në vendin e dytë, Khedira ka zgjedhur një tjetër ish-lojtar të Barcelonës, duke theksuar periudhën e tij te Napoli dhe me Argjentinën: Diego Maradona.

Në krye të listës së tij, Khedira ka vendosur Zinedine Zidane: “Ishte idhulli im. Kam parë çdo ndeshje të tij me Real Madridin dhe gjithashtu me Francën, kur fitoi Kupën e Botës më 1998. Ai e bënte futbollin të dukej shumë i lehtë. U përpoqa ta imitoja, por kurrë nuk munda të bëja si ai”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat